Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko pritet të publikojë gjatë së premtes një plan me 14 pika për t’i dhënë fund luftimeve në lindje të vendit.
Lajmi vjen nga autoritetet lokale, disa orë pasi Poroshenko zhvilloi bisedën e dytë telefonike me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin. Detajet e planit janë publikuar në mediat ukrainase.
Një prej tyre është premtimi për decentralizimin e pushtetit dhe për një apel për çarmatosjen e menjëhershme në lindje të Ukrainës, ku trupat qeveritare po luftojnë ndaj separatistëve pro-rusë.
Nga informacionet paraprake rezulton se plani propozon gjithashtu krijimin e një vije prej 10 kilometrash në kufirin ruso-ukrainas, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale e parlamentare.
Biseda telefonike mes Poroshenko dhe Putin është e dyta që zhvillohet, pas një takimi kokë më kokë më herët gjatë muajit, përmes të cilës tentohet t’i jepet fund dhunës në lindje të vendit.
Por pavarësisht angazhimeve të marra deri më tani, qetësia ende nuk është vendosur dhe rebelët pro-rusë vazhdojnë të jenë aktivë në kufirin me Ukrainën.
Që kur Yanukovych u largua nga Kievi, Rusia ka aneksuar pjesë të territorit ukrainas, mes të cilave gadishullin e Krimesë, si dhe është akuzuar se menaxhon lëvizjet e rebelëve në lindje të vendit.
Sipas një vlerësimi të bërë nga OKB këtë javë, të paktën 356 persona, mes të cilëve 257 civilë, janë vrarë në lindje të Ukrainës që prej 7 majit.
Top Channel