Irak, sërish luftime të ashpra

20/06/2014 00:00

Militantët islamikë dhe trupat pro-qeveritare në Irak janë angazhuar në beteja të ashpra për kontrollin e rafinerisë së naftës në Baixhi dhe për aeroportin Tal Afar në veri të vendit.

Baixhi, rafineria më e madhe e naftës në Irak, është rrethuar nga rebelët, të cilët deklarojnë se kanë zaptuar gjithashtu pjesën më të madhe të aeroportit të Tal Afarit.

Rebelët e fraksionit ISIS deklarojnë gjithashtu se kanë rrëzuar dy helikopterë ushtarakë që fluturonin pranë rafinerisë, por kjo nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

I dërguari i BBC në Ibril, në veri të Irakut, thotë se ka gjasa që militantët të kenë marrë nën kontroll një pjesë të mirë të impiantit të naftës.

Ata kanë marrë gjithashtu nën kontroll një fabrikë të braktisur armësh kimike në Muthana, 70 kilometra në veri-perëndim të Bagdadit.

Lajmi për luftimet vjen në një kohë kur sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të vizitojë kryeqytetin iraken në orët e ardhshme, për një takim me kryeministrin Nouri al Maliki.

Por pikërisht Al Maliki është akuzuar se ka ndjekur politikat anti-sunite, duke detyruar militantët e kësaj etnie të bashkohen me grupin xhihadist të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, që ka bërë avancime të shpejta në ditët e fundit.

Rreth 500 mijë persona kanë braktisur shtëpitë e tyre në qytetin e dytë më të madh të vendit, Mosul, të cilin militantët e ISIS e morën nën kontroll javën e kaluar.

Lidhur me situatën në Irak reagoi një ditë më parë presidenti amerikan, Barack Obama i cili përjashtoi në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje ushtarake në terren, por duke ofruar shërbimin e 300 këshilltarëve ushtarakë për ushtrinë vendase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB