Ukraina, brenda muajit pakti me BE

19/06/2014 00:00

Presidenti i ri i Ukrainës, Petro Poroshenko ka deklaruar se do të nënshkruajë një marrëveshje kontroverse me BE-në më 27 qershor.

Parardhësi i tij pro-rus, Viktor Yanukovych, u rrëzua nga pushteti në muajin shkurt pasi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen në momentin e fundit.

Luftime të ashpra kanë shpërthyer në ditët e fundit mes trupave ukrainase dhe rebelëve pro-rusë në rajonin e Donetskut, pavarësisht bisedimeve Kiev-Moskë për një armëpushim. Ndërkohë, NATO deklaron se Rusia i ka kthyer sërish trupat e saj tek kufiri ukrainas.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka njoftuar se ka rivendosur kontaktet me dy grupe vëzhguesish që u rrëmbyen në lindje të Ukrainës muajin e kaluar dhe thotë se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ne nuk mund të themi asgjë për identitetin e atyre që i mbajnë të burgosur, as nuk mund të komentojmë deklaratat e bëra nga ndonjë grup apo individ që janë të cituar nga mediat”, deklaroi zëdhënësja e OSBE-së në Vjenë, Natacha Rajakovic.

Zoti Poroshenko u zgjodh president në muajin maj falë platformës pro-BE-së, pas gjashtë muajsh trazirash politike. Që kur Yanukovych u largua nga Kievi, Rusia ka aneksuar pjesë të territorit ukrainas, mes të cilave gadishullin e Krimesë, si dhe është akuzuar se menaxhon lëvizjet e rebelëve në lindje të vendit.

Sipas një vlerësimi të bërë nga OKB këtë javë, të paktën 356 persona, mes të cilëve 257 civilë, janë vrarë në lindje të Ukrainës që prej 7 majit.

Top Channel