Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar si veprim të turpshëm rivendosjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër, të mërkurën pasdite.

“Si kryeministër i vendit, dje paradite, mirëprita largimin e barrikadës në mënyrë vullnetare nga qytetarët e komunitetit serb duke shpresuar se ajo ishte një shenjë e pjekurisë qytetare. Fatkeqësisht, u deshën vetëm pak orë që unë dhe qytetarët e Kosovës të zhgënjehemi përsëri me aktin e turpshëm të rivendosjes së barrikadës mbi urën e lumit Ibër”, ka thënë Thaçi.

Kjo lojë e turpshme dhe e rrezikshme, por mbi të gjitha antiligjore, sipas Thaçit, është e papranueshme për vlerat e shoqërisë dhe shtetit demokratik: “Ata që janë përgjegjës për këto veprime antiligjore, do të përballën me ligjin herët apo vonë. Liria e lëvizjes është e drejtë fondamentale dhe ajo nuk mund të cënohet nga askush”.

Thaçi u ka bërë thirrje udhëheqësve lokalë të komunitetit serbë në veri të Kosovës që të tregohen të arsyeshëm dhe ta heqin barrikadën e re.“Turpi që paraqet kjo barrikadë nuk mund të fshihet nga lulet e vendosura në vend të gabuar. Ai turp largohet vetëm kur të largohet barrikada dhe ura të jetë e lirë për qarkullimi”, thuhet në deklaratën kryeministrit Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA