Rreziku nga sirianët e irakenët

19/06/2014 00:00

Autoritetet gjermane mendojnë se prej personave të kthyer nga Siria dhe Iraku, kontinetit të vjetër i kanoset një rrezik konkret vdekjeprurës.

Raportin e tij, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere e ilustroi edhe me atentatin e fundit në Bruksel. Aktualisht janë rreth 2000 vetë nga Europa, ndër të cilët 320 nga Gjermania, që kanë luftuar në këto zona e janë kthyer sërish.

Për shërbimet sekrete, këta njerëz duhen parë si kërcënim. Numri i “personave me potencial ekstremist islamik” në Gjermani, sipas ministrit, është më shumë se 43 mijë vetë; grupet salafiste janë ato që përbëjnë shqetësimin kryesor, duke qenë se po tërheqin gjithmonë e më shumë pasues.

Kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen Kushtetuese, Hans-Georg Masene, e cilësoi terrorizmin islamik si kërcënimin më të madh aktual për sigurinë e brendshme të vendit, e deklaroi se Gjermania vazhdon të jetë objektiv i planeve për sulme terroriste.

Ministrat e Brendshëm të BE-së kanë formuar një grup pune, për të koordinuar masat kundër terrorizmit islamik, dhe do të diskutojnë për këtë gjatë takimit të muajit Korrik në Milano.

Statistikat tregojnë një rritje të ndjeshme të ekstremistëve të djathtë, të gatshëm për dhunë në Gjermani. Sipas zyrtarëve vendas, ky numër shkon në rreth 9.600 vetë. Ata vërejnë gjithashtu një shtim të konsiderueshëm të agresivitetit me motive ksenofobie.

Krahasuar me vitin 2012, sulmet ndaj të huajve janë rritur me 20.4 përqind, nga 393 në 473, ndërsa janë shtuar gjithashtu edhe sulmet e dhunshme ndaj policëve.

Top Channel