Interpretimet e ndryshme të Kushtetutës rreth asaj se cilës parti apo cilit koalicion duhet t’i jepet e drejta e formimit të qeverisë, e kanë shtyrë presidenten Atifete Jahjaga që t’i kërkojë interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca, kërkesa për gjykatën bëhet me qëllim të qartësimit të veprimit kushtetues të presidentes së Kosovës, që ndërlidhet me përputhshmërinë e nenit 84, pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së vendit, ku flitet për mandatarin e qeverisë.

Presidentja Jahjaga konsideron se me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së dy neneve sigurohet një proces i drejtë dhe i besueshëm, që do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

Por, veprimi i presidentes Jahjaga po shihet si i panevojshëm dhe jashtë proçedurave nga ana e njohësve të Kushtetutës.

Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Top Channel përmes telefonit se, derisa nuk është ndërmarrë asnjë veprim i dyshuar anti-kushtetues, presidentja nuk ka autorizim t’i kërkojë opinion gjykatës.

Sipas Dolit, tani mbetet në vullnetin e Gjykjatës Kushtetuese që të vendosë nëse dëshiron të nxjerrë një opinion i cili sqaron se cili duhet të jetë veprimi i presidentes në rastin konkret.

Ambasadorja e SHBA mbështet veprimin e Jahjagës

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey A. Jacobson mbështeti vendimin e presidentes Atifete Jahjaga për t’i kërkuar qartësim Gjykatës Kushtetuese lidhur me rolin e saj në formimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Mendoj se është plotësisht i duhur. Të gjithë e kemi parë nëpër lajme ditëve të fundit se ka interpretime të ndryshme, jo neni 84, jo ai 89, si mund të përputhen ata.

Mendoj se është veprim i përgjegjshëm për të kërkuar qartësim nga institucionet e Kosovës të ngarkuara me këtë qartësim, në këtë rast Gjykata kushtetuese. Dua t’u bëjë thirrje të gjithëve, të gjitha partive politike që të respektojnë vendimin e asaj gjykate kur të dalë.

Apeloj po ashtu, udhëheqësit politikë dhe këtë e kam bërë edhe personalisht, që tani është koha për një periudhë qetësie përderisa punojmë në atë që është proces demokratik që ndodh në shumë vende të botës dhe të ecim në rrugë të qetë, të moderuar dhe profesionale”, tha ambasadorja Jacobson, në një intervistë për Zërin e Amerikës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA