
Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëron mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda disa javësh, nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet e shkaktuara nga regjistrimi i një bisede të fshehtë, mes dy zyrtarëve të lartë vendas.
Revista “Wprost” publikoi bisedën private, ku kreu i Bankës Qendrore të vendit diskutonte zgjedhjet e ardhshme me një ministër të qeverisë. Agjentë sigurie mësynë gjatë natës zyrat e revistës në fjalë, e kryeredaktori Sylwester Latkowski pretendon se ndaj tij është ushtruar dhunë, në përpjekjet për t’i sekuestruar laptop-in.
Jaroslaw Kaczynski, lider i partisë më të madhe opozitare në vend, “Ligj dhe Drejtësi”, reagoi menjëherë duke thënë se ky ishte sulm ndaj lirisë së shtypit.
Nëse kriza e besimit është vërtet kaq e madhe, deklaroi nga ana tjetër kreu i ekzekutivit, atëherë zgjedhjet e parakohshme mund të jenë zgjidhja e vetme.
Tusk i kërkoi “Wprost”-it të dorëzojë të gjithë regjistrimet e bisedave private mes zyrtarësh, që zotëron aktualisht. Artikulli i saj citonte të dhëna, ndër të cilat edhe zbardhja e një bisede të zhvilluar Korrikun që shkoi, në një restorant të Varshavës, mes ministri të Brendshëm Bartlomiej Sienkiewicz dhe kreut të Bankës Kombëtare, Marek Belka.
Sipas revistës, dy zyrtarët dëgjohen të diskutojnë se si Banka mund ta ndihmonte qeverinë të menaxhonte defiçitin buxhetor e të rriste shanset e fitores në 2015-n. Pretendohet se kreu i Bankës dëgjohet në regjistrim duke kërkuar shkarkimin e ministrit të Financave, që asokohe ishte Jacek Rostowski, në këmbim të ndërhyrjes së Bankës për t’i dhënë një shtysë ekonomisë kombëtare në rast emergjence.
Katër muaj më vonë, Rostowski u hoq nga puna, por kryeministri Tusk mohon që kjo të ketë ndodhur për shkak të bisedës në fjalë.
Top Channel