
Forcat amerikane nuk do të kthehen të luftojnë në Irak, ka deklaruar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në një konferencë shtypi të transmetuar direkt në televizionet amerikane.
Megjithatë, Obama ka nënvizuar se Amerika është e gatshme të dërgojë në Irak deri në 300 këshilltarë ushtarakë dhe se janë gati për “aksione të caktuara”, nëse do të jetë e nevojshme.
“Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm asistencën në fushën e inteligjencës në Irak. Lufta civile duhet parandaluar”, ka thënë shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Ai ka premtuar se administrata amerikane do të mbetet vigjilente, por ka theksuar se, nuk është detyra e saj të zgjedhë liderët e Irakut.
“Nuk ka dyshim që në Irak ka ndarje të thella sektare, por kushdo qoftë lider i Irakut duhet të punojë për bashkimin. Liderët irakenë duhet të kenë një axhendë gjithëpërfshirëse dhe të tejkalojnë ndasitë”, ka thënë Obama.
Ndonëse ka shprehur shqetësimin për situatën, duke nënvizuar se, Iraku nuk duhet të bëhet parajsë për ekstremistët, Obama e ka përjashtuar mundësinë e operacioneve ushtarake, kur ka thënë:
“Vendimi për të tërhequr trupat ushtarake në vitin 2011 nuk ishte i yni, por i qeverisë së Bagdadit që u mohoi imunitetin ushtarëve amerikanë”.
Presidenti ka rikonfirmuar se administrata e tij po punon për të garantuar sigurinë e ambasadës amerikane në Bagdad dhe personelin e saj, për të cilët njoftoi më herët gjatë muajit dërgimin e 275 trupave ushtarake.
Më herët gjatë ditës, jë zëdhënës i partisë së kryeministrit iraken Nouri al Maliki tha për BBC se liderët e vendit ndihen të braktisur nga komuniteti ndërkombëtar, teksa shumë qytete në veri të vendit janë marrë nën kontroll nga militantët.
Top Channel