Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni opozitar për kryeministër të ardhëshëm, ka zhvilluar të enjtën një takim në selinë e  partisë së tij me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në këtë takim Albin Kurti ka prezantuar një platformë për t’u bërë pjesë e qeverisë së opozitës, por nëse LDK, AAK dhe Nisma pajtohen me kërkesat e Vetëvendosjes.

Pas takimit Haradinaj i ka bërë thirrje presidents, Gjykatës Kushtetuese dhe KQZ-së që të kryejnë detyrimet e tyre brenda mandateve të tyre.

“Biseduam për tema të cilat në rast se trajtohen me kujdes, bashkëbisedohet me kujdes, mund të sjellin një përafrim të mëtejshëm. Ne kemi biseduar me Vetëvendosjen për të gjitha temat që e preokupojnë vendin dhe për mundësinë e përafrimit në këto tema”, deklaroi Haradinaj.

Një ndër kushtet më të vështira për t’u pranuar nga partitë opozitare mbetet kërkesa e Vetëvendosjes për ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Por Albin Kurti tha pas takimit se do të jetë pjesë e qeverisë vetëm pas plotësimit të kushteve, por që priten diskutime edhe në ditët në vijim.

“Aktualisht ndodhemi në fazën e dytë të bisedimeve, që kanë të bëjnë me dy dy çështje kapitale: e para është çështja e dialogut me Serbinë dhe e zbatimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe; dhe e dyta është ajo e privatizimeve që janë bërë deri më tani dhe të orvatjeve të mëtejshme që ato të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë, Haradinaj ritheksoi se askush në Kosovë nuk është kundër dialogut me Serbinë, por sipas tij duhet të ndryshohet qasja ndaj këtij dialogu. “Askush në Kosovë nuk është kundër dialogut. Ne nuk jemi kundër dialogut, ne jemi për dialog, për një Kosovë evropiane. Jemi deklaruar kështu dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij qëndrimi”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Nismës për Kosovën thanë se të tri partitë opozitare janë të interesuara që VV të jetë pjesë e qeverisë së re. Koalicioni LDK-AAK-Nisma për Kosovën, me mbështetjen e VV, ka për qëllim harmonizimin e plan-programeve të tyre në një qeverisje të përbashkët.

Ndërkohë, presidentja kosovare tashmë ka kërkuar inptepretim nga Kushtetuesja për të qartësuar çështjen e koalicionit dhe përcaktimin e emrit të mandatarit për kryeministër të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA