
Presidenti amerikan Barack Obama u ka thënë liderëve të Kongresit se nuk do të kërkojë miratimin e ligjvënëse për ndërmarrjen e veprimeve ushtarake në Irak, ka bërë të ditur kreu republikan i Senatit. Senatori Mitch McConnell ka folur pas një takimi mes presidentit dhe anëtarëve të lartë të Kongresit.
Iraku ka kërkuar ndihmën e SHBA-ve për të nisur sulmet ajrore kundër militantëve të avancuar xhihadistë, të cilët kanë marrë kontrollin e qyteteve e fshatrave kryesore në veri të vendit. Por, korrespondentët thonë se çdo vendim nga Uashingtoni për të mbështetur ushtarakisht Irakun mund të varet nga ndryshimet politike në Irak.
Zv/presidenti amerikan Joe Biden diskutoi “masat shtesë” të mundshme, që mund të ndihmojnë në “zmbrapsjen e avancimit të terroristëve” së bashku me kryeministrin irakian Nouri al-Maliki, të mërkurën, por theksoi gjithashtu edhe nevojën për bashkim kombëtar.
Administrata e Obama-s ka treguar shenja irritimi me Maliki-n, një musliman shiit që akuzohet prej kohësh për diskriminimin kundër minoritetit të arabëve sunitë, si dhe monopolizimin e pushtetit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, tha gjatë një seance kongresionale, se “qeveria aktuale në Irak nuk ka përmbushur kurrë angazhimet e ndërmarra për të krijuar një qeveri uniteti, ku të marrin pjesë sunitët, kurdët dhe shiitët”.
Obama u takua me liderët e Kongresit në Shtëpinë e Bardhë gjatë së mërkurës, për të diskutuar përgjigjen amerikane ndaj avancimeve të fundit të militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL). Duke folur pas takimit, McConnell tha se presidenti kishte “bërë të ditur se nuk e ndiente të nevojshme të merrte autorizimin tonë për hapat e mundshëm që mund të ndërmarrë”.
Top Channel