Irak, luftë për rafineritë e naftës

19/06/2014 00:00

Forcat qeveritare irakene po luftojnë kundër militantëve sunitë për kontrollin e rafinerisë më të madhe të naftës në vend.

Autoritetet kanë deklaruar se forcat e sigurisë janë nën kontroll të fortë të rafinerisë së Baixhit, rreth 200 kilometra në veri të Bagdadit.

Por militantët e udhëhequr nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit kanë rrethuar kompleksin. Luftimet vijnë pasi presidenti Barack Obama po shqyrton mundësinë e sulmeve ajrore ndaj militantëve.

Një zëdhënës i partisë së kryeministrit iraken Nouri al Maliki tha për BBC se liderët e vendit janë ndjerë të braktisur nga komuniteti ndërkombëtar, teksa shumë qytete në veri të vendit janë marrë nën kontroll nga militantët e ISIS dhe aleatët e tyre arabo-sunitë.

Rebelët islamikë e nisën sulmin e tyre ndaj rafinerisë në Baixhi mëngjesin e së mërkurës. Të enjten, ushtria irakene deklaroi se rreth 100 prej tyre ishin vrarë teksa trupat e rregullta dhe sulmet me helikopter i zmbrapsën pasi vazhduan gjatë gjithë natës.

Por dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, të cituar nga mediat e huaja, deklarojnë se militantët e kanë kaluar përimetrin dhe i kanë vënë zjarrin disa çisternave me naftë.

Gjithashtu, pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë tymin që ngrihet nga rafineria dhe flamurin e zi të përdorur nga ISIS të ngritur në një ndërtesë.

Pothuajse të gjithë 15 mijë punëtorët në rafineri dhe 100 ekspertë të huaj që asistojnë aty u larguan të martën kur impianti u mbyll pak orë para sulmit.

Ndërsa mëngjesin e së enjtes, rreth 300 punëtorë u evakuuan pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga liderët tribalë, bëri të ditur një punëtor për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Top Channel