Ukrainë, shpërthim në gazsjellës

18/06/2014 00:00

Një prej tubacioneve kryesore në Ukrainë që  transporton gaz nga Rusia drejt Europës është dëmtuar rëndë nga një shpërthim.

Mediat publikuan pamjet e flakëve të larta që ngriheshin nga gazsjellësi Urengoi-Pomary-Uzhgorod në Ukrainën Qendrore. Mësohet se si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur viktima apo të plagosur, por dëmet ishin të konsiderueshme.

Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin, ndërsa autoritetet ukrainase kanë thënë se mund të bëhet fjalë edhe për një akt terrorist. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov deklaroi se sipas dëshmitarëve okularë janë dëgjuar 2 shpërthime fillestare dhe më pas një shpërthim i fuqishëm.

Sipas kompanive europiane dhe ruse furnizimi me gaz i Europës nuk është prekur nga ky incident që mesa duket thjesht do të shtojë tensionin në Ukrainë.

Të hënën Ukraina tha se Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për këtë vend për shkak të kontradiktave për pagesat.

Kriza në Ukrainë dhe përleshjet e dhunshme në lindje të vendit kanë shkaktuar humbjen e jetëve të qindra njerëzve. Përleshjet mes rebelët pro-rusë dhe forcave qeveritare vazhdojnë në provincat e Donetsk dhe  Luhansk, të cilat shpallën pavarësinë nga Ukraina një muaj më parë.

Top Channel