Ukraina, armëpushim të njëanshëm

18/06/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko propozoi një armëpushim të njënashëm të trupave të tij, i cili do t’iu lejojë separatistësve pro-rusë në lindje të vendit të ulin armët. Plani i paqes, sipas kreut të shtetit, do të nisë të zbatohet shumë shpejt.

Njoftimi i Poroshenkos erdhi pas një bisede telefonike me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin ku u diskutua mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në provincat lindore, në të cilat rebelët pro-Moskës përplasen prej javësh tashmë me forcat qeveritare.

Përpara reporterëve në Kiev, Poroshenko pohoi armëpushimin. Edhe Kremlini konfirmoi se presidenti Putin foli në telefon dje me homologun e tij ukrainas në lidhje me mundësinë e arritjes së një armëpushimi në jug-lindje të Ukrainës.

Nuk u dhanë hollësi të tjera rreth kësaj çështjeje, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se zoti Putin shprehu gjithashtu shqetësimin mbi vdekjen e dy gazetarëve të medias shtetërore ruse dje pranë qytetit ukrainas të Luhanskit.

Peskov tha se Ukraina ka premtuar se do të hetojë vdekjen e gazetarëve rusë. Sipas raporteve nga rajoni, gazetarët vdiqën kur makina e tyre u godit me mortaja në afërsi të qytetit të kontrolluar nga rebelët.

Ky është kontakti i dytë i drejtpërdrejtë i nivelit të lartë mes udhëheqësve të dy vendeve që kur Rusia i aneksoi gadishullin e Krimesë Ukrainës në mars. Që atëherë, separatistët pro-rusë kanë organizuar një kryengritje në Ukrainën lindore dhe Moska ka nderprerë furnizimet me gaz natyror për fqinjin e saj për shkak të mospagimit të borxheve.

Ukraina thotë se një shpërthim në një tubacion që transportonte gazin natyror rus në Evropë mund të jetë një akt terrorist që ka për qëllim dëmtimin e reputacionit të Kievit si një vend i besueshëm tranzit për furnizimin me energji.

Top Channel