Spanjë, senati i hap rrugën Mbretit të ri

18/06/2014 00:00

Senati spanjoll aprovoi ligjin e abdikimit, çka i hap princit Felipe rrugën drejt fronit, nga i cili mbreti Juan Carlos hoqi dorë papritur.

76-vjeçari e lë drejtimin e Monarkisë pas afro katër dekadash, dhe tani detyra e ndreqjes së imazhit të dëmtuar të saj i takon Princit të kurorës.

Dikur beqari më i kërkuar në Europë, Felipe bëhet Mbret i vendit. Ekspertët ende nuk dinë t’i japin një shpjegim të saktë abdikimit të Juan Carlos-it, të cilin e kanë të vështirë ta kuptojnë.

Ndoshta në këtë vendim luajti rol shembulli i Papës, thotë një prej tyre, Rolf Seelmann-Eggebert.

Kushtetuta spanjolle nuk e parashikon ndryshimin e Mbretit, ndaj Dhoma e Përfaqësuesve duhet ta miratonte këtë abdikim ligjërisht. Pavarësisht mënyrës së pazakontë të ndryshimit të fronit, ai duket se ka ardhur në kohën e duhur.

Reputacioni i Monarkisë spanjolle vuajti shumë kohët e fundit, për shkak të kritikave ndaj Juan Carlos-it, siç ishte rasti kur, gjatë njërës prej krizave më të rënda ekonomike të vendit, monarku shkoi për një safari të shtrenjtë në Afrikë.

Po ashtu, oborri mbretëror është goditur edhe nga një skandal korrupsioni. Përpos këtyre, gjendja shëndetësore e Juan Carlos-it nuk është e mirë. Edhe pse vetëm 46-vjeç, Filipe duket mjaft mirë i përgatitur për detyrën e re dhe për fronin.

Pas studimeve të Drejtësisë në Universitetin e Madridit, ai ka bërë edhe një Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Georgetoën në SHBA. Është oficer dhe përgatitjen ushtarake e ka bërë në armët e aviacionit, marinës dhe këmbësorisë.

Felipe përshkruhet si njeri me humor, inteligjent dhe sportiv, si një baba tepër i përkujdesur dhe, mbi të gjitha, si një person që nuk ka qenë kurrë i përfshirë në skandale.

Top Channel