Spanjë, betohet Mbreti Felipe VI

18/06/2014 00:00

Princi i Kurorës, Felipe, u shpall Mbreti i ri i Spanjës gjatë një ceremonie në Parlament. Ai do të njihet tashmë si Mbreti i Spanjës, Felipe VI. Mbreti Felipe mori fillimisht brezin mbretëror nga i ati, Juan Carlos, në një ceremoni në Pallatin Zarzuela, pranë Madridit.

Ai aderoi në Fron gjatë mesnatës, pasi Juan Carlos abdikoi formalisht gjatë së mërkurës. Korrespondentët thanë se ceremonitë u zhvilluan jo me shumë bujë, në një kohë kur shumë spanjollë vuajnë nga vështirësi ekonomike.

Ceremonia ishte në formën e një shpalljeje, dhe jo të një kurorëzimi. Ky është i pari tranzicion mbretëror në Spanjë, që pas vendosjes së demokracisë. Mbreti i ri u betua se do të mbështesë Kushtetutën dhe më pas dha një fjalim në Parlament.

Ai dhe gruaja e tij, Letizia, pritet të përshkojnë rrugët e Madridit, përpara se të shfaqen në ballkonin e Pallatit Mbretëror. Korrespondentët thonë se Mbreti i ri përballet me një sërë sfidash të vështira, nëse do të kërkojë të përmirësojë reputacionin e Monarkisë.

Edhe pse Juan Carlos mori lavdërime për rolin e tij në rikthimin e demokracisë, imazhi i tij pësoi tronditje kur shkoi në një safar tepër luksoz afrikan, për lëvizje turistike me elefantë, në mes të një recesioni të thellë për vendin.

Më pas, reputacioni i tij pësoi të tjera goditje, për shkak të akuzave për evazion fiskal, të bëra kundër vajzës së tij Cristina, e cila raportohet të mos jetë ftuar në festën e pasimit të fronit.

Ekspertët ende nuk dinë t’i japin një shpjegim të saktë abdikimit të Juan Carlos-it, të cilin e kanë të vështirë ta kuptojnë. Ndoshta në këtë vendim luajti rol shembulli i Papës, thotë një prej tyre, Rolf Seelmann-Eggebert.

Kushtetuta spanjolle nuk e parashikon ndryshimin e Mbretit, ndaj Dhoma e Përfaqësuesve duhej ta miratonte këtë abdikim ligjërisht. Pavarësisht mënyrës së pazakontë të ndryshimit të Fronit, ai duket se ka ardhur në kohën e duhur. Reputacioni i Monarkisë spanjolle vuajti shumë kohët e fundit për shkak të kritikave ndaj Juan Carlos-it, siç ishte rasti kur gjatë njërës prej krizave më të rënda ekonomike të vendit, monarku shkoi për një safari të shtrenjtë në Afrikë.

Felipe përshkruhet si njeri me humor, inteligjent dhe sportiv, si një baba tepër i përkujdesur dhe, mbi të gjitha, si një person që nuk ka qenë kurrë i përfshirë në skandale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA