Ukrainë, idea për mur ndarës me Rusinë

17/06/2014 00:00

Liderët ukrainas janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë se si të ndalin mbështetjen e Rusisë për rebelimin e separatistëve në Lindje të vendit, ndërsa njëri prej njerëzve më të pasur të vendit mendon se e ka gjetur tashmë një zgjidhje.

Biznesmeni miliarder, Ihor Kolomoisky, ka sugjeruar ndërtimin e një muri përgjatë kufirit tokësor prej 2000 km me Rusinë, në mënyrë që të ndalet invazioni i luftëtarëve apo armëve në territorin ukrainas.

Idea mund të duket absurde, por Kolomoisky ka ofruar deri në 100 milionë euro për të financuar ndërtimin e murit 2 metra të lartë dhe rreth 25-30 cm të gjerë, me çelik të përforcuar, si dhe të kompletuar me alarme elektronike, transhe dhe fusha të minuara.

Madje, sipas tij, kjo gjë duhet të ishte bërë më parë. Izraeli ka ngritur një barrierë për të mbajtur larg militantët palestinezë. Kina ndërtoi Murin e Madh për të ndalur pushtuesit. Gjermania Lindore, e udhëhequr prej sovjetikëve, ngriti dikur Murin e Berlinit, ky i fundit më tepër për të mos lejuar largimin e njerëzve, se sa hyrjen e të tjerëve.

“Mund ta realizojmë këtë projekt nga fillimi në fund”, tha Alexei Burik, zv/lideri i rajonit të Dnipropetrovskit, ku Kolomoisky është guvernator, duke u vetofruar si udhëheqës i punës për ndërtimin e tij.

Presidenti Petro Poroshenko mund të mos ofrojë mbështetjen e tij për ndërtimin e një muri të tillë, por diskutimet në rritje mbi idenë e oligarkut ukrainas nënvizojnë edhe njëherë shqetësimet e thella mbi sigurinë në Ukrainë, 3 muaj pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në Detin e Zi.

Top Channel