Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se ai do të jetë mandatari për formimin e qeverisë së ardhshme, sepse përfaqëson partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Thaçi ka thënë se, pas çertifikimit të rezultateve do të nisë konsultat me partitë e mundshme partnere për krijimin e qeverisë, duke e përjashtuar kështu mundësinë që qeveria e ardhshme të formohet dhe drejtohet nga opozita.

“Ne kemi një sistem të tillë proporcional, që lë për të dëshiruar në kuptimin e fitoreve që përcaktojnë që në përfundim të procesit edhe fituesin e qartë në kuptimin e numrave në Parlament. Por, një gjë është e qartë, fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës, është Misioni i Ri dhe natyrisht që unë jam në komunikim me partnerët e mundshëm të koalicionit dhe në momentin që do të përmbyllet çertifikimi i rezultatit zgjedhor do të marrë iniciativë për t’u ulur me partitë politike për të biseduar dhe formuar qeverinë”, ka deklaruar Thaçi.

I pyetur se sa hapësirë ofron Kushtetuta e Kosovës që qeveria të formohet nga opozita, në këtë rast marrë parasysh marrëveshjen mes LDK, AAK dhe Nisma, kryetari i PDK ka thënë se  nuk dëshiron të hyjë në interpretime kushtetuese e ligjore, sepse nuk mund të bëjë një interpretim të tillë.

“Sa për oponentët politikë, unë i kuptoj ata. Është një reagim emocional, një situatë dëshpëruese për shkak të rezultatit të padëshiruar dhe mosbesimit të qytetarëve. Prandaj, unë pres që sido që të jetë, të gjithë të punojmë bashkarisht për të mirën e vendit, të mirën e shtetit, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë”, është shprehur Thaçi.

Më tej, ai ka shtuar se nuk mendon se Kosova po futet në një ngërç politik, por ka nënvizuar se kjo situatë nuk është në interes të askujt, pasi i prish imazhin Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA