SHBA kapin liderin e sulmit të Bengazit

17/06/2014 00:00

Kryebanditi i dyshuar i sulmit të Shtatorit 2012 në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, si pasojë e të cilit mbetën 4 amerikanë të vdekur, mes të cilëve edhe ambasadori Chris Stevens, njoftohet nga Pentagoni të jetë kapur.

Ahmed Abu Khattala është arrestuar falë një ofensive ushtarake sekrete të SHBA-ve në Libi, më 15 Qershor. Ai mbahet tashmë në një vend të sigurt, jashtë vendit, konfirmoi një zëdhënës i Pentagonit.

“Në këtë operacion nuk ka pasur viktima mes civilëve, ndërsa i gjithë personeli amerikan i përfshirë në të është larguar në kushte të sigurta nga Libia”, tha Sekretari për Shtyp i Pentagonit, nën-Admiral John Kirby, përmes një deklarate.

Pas njoftimit, presidenti Barack Obama lavdëroi kurajon dhe profesionalizmin e personelit të ushtrisë, zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, që ndoqën dhe bënë të mundur kapjen e Abu Khattala, të cilin SHBA-të e përshkruajnë si “një figurë qendrore” në sulmin e Bengazit.

“Kur sulmohen amerikanët, s’ka rëndësi se sa mund të zgjasë, por ne do t’i gjejmë përgjegjësit dhe do t’i nxjerrim ata përpara drejtësisë”, tha ai.

Abu Khattala akuzohet nga një gjykatë federale në Uashington, për vrasjen e një personi gjatë sulmit në ambiente federale, dhënien e mbështetjes materiale për terroristët dhe furnizimin me armë zjarri, mësohet nga padia në gjykatë.

Më 11 Shtator 2012, njerëz të armatosur mësynë konsullatën amerikane në Bengazi dhe i vunë zjarrin. Veç ambasadorit Stevens, specialisti për informacionet teknologjike, Sean Smith, dhe punonjësit e sigurisë (ish-pjesë e Navy Seals në kapjen e Bin Laden) Tyrone Woods dhe Glen Doherty, mbetën të pajetë.

Top Channel