SHBA, 275 trupa në Irak

17/06/2014 00:00

Të paktën 275 personel ushtarak amerikan po dërgohen në Irak për të garantuar sigurinë e ambasadës amerikane në Bagdad dhe të personelit atje.

Lajmin e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, sipas të cilës trupat do do të asistojnë lëvizjen e përkohëshme të një pjese të stafit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin iraken.

Luftëtarët nga grupi militant sunit ISIS kanë marrë nën kontroll një numër qytetesh irakene në javët e fundit.

Në një deklaratë më vete, SHBA deklaruan se janë të gatshme të diskutojnë me Iranin se çfarë masash mund të merren për të ndaluar avancimin e rebelëve.

Gjithësesi, korrespondentët thonë se zyrtarët amerikane me shpejtësi refuzuan opsionin e bashkëpunimit ushtarak.

Duke folur të hënën për Yahoo News, sekretari i Shtetit John Kerry deklaroi se Uashingtoni nuk do të përjashtojë asgjë që mund të jetë konstruktive, ndërsa theksoi se çdo bashkëpunim me Iranin duhet të realizohet “hap pas hapi”.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara deklarojnë se rebelët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë kryer qindra ekzekutime.

Përgjegjsja për të drejtat e njeriut, Navi Pillay tha se vrasjet sistematike në veri të vendit kanë marrë përmasat e krimeve të luftës.

Deklarata e saj erdhi teksa u raportua se militantët, të udhëhequr nga ISIS, kishin marrë nën kontroll qytetin strategjik Tal Afar.

Ndërkohë, luftime të ashpra raportohen edhe në Bakuba, kryeqyteti provincial i provincës Dijala. Rebelët thuhet se kanë zaptuar lagje të tëra dhe stacione të shumta policie, duke sekuestruar sasi të mëdha armësh.

Top Channel