“Qindra ushtarë të vrarë në Irak”

17/06/2014 00:00

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay ka thënë se kryengritësit në veri të Irakut kanë ekzekutuar me qindra ushtarë të kapur rob.

‘Vrasjet e vazhdueshme të kohëve të fundit në Irak mund të cilësohet më siguri si krime lufte”, ka thënë Pillay. Ajo u zotua se OKB-ja kishte prova nga monitoruesit e saj se ushtarët janë ekzekutuar gjatë 5 ditëve të fundit, duke përfshirë edhe anëtarë të forcave të sigurisë të cilët ishin zënë rob, por disa prej tyre ishin dorëzuar.

Deklarata e shefes së të Drejtave të Njeriut në OKB ka ardhur publikimit të fotove të postuara në faqe interneti xhihadiste, të cilat thuhet se tregojnë militantë të grupit ISIS që vrasin ushtarët e kapur gjatë ofensivës së tyre treditore në veri dhe perëndim të Irakut.

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë marrë nën kontroll qytetin verior irakian të Tal Afar-it. Siguria në Bagdad është vënë në rrezik pasi kryengritësit kanë kërcënuar se do të sulmojnë edhe kryeqytetin. Është raportuar se një helikopter i ushtrisë është qëlluar gjatë përleshjeve të ashpra pranë qytetit Fallujah, vetëm 70 kilometra në perëndim të Bagdadit.

Militantët e udhëhequr nga ISIS (ISIL), apo Shteti Islamik në Irak dhe Levant, kanë pushtuar disa qytete kryesore gjatë javës së fundit, përfshi këtu Mosulin dhe Tikritin, por disa fshatra janë rikthyer në duart e ushtrisë irakiane.

Luftimet në Tal Afar nisën të dielën, me bombardimin me mortaja të disa periferive, teksa militantët u përpoqën të hynin në qytet.

Tal Afar është një qytet kryesisht shiit me qytetarë të etnisë turkmene, teksa shihej si një pengesë ndaj territoreve të kontrolluara prej militantëve në Irak dhe Siri.

Një qytetar i Tal Afarit tha nëpërmjet telefonit për agjencinë e lajmeve Associated Press, se militantët me kamionë hynë me armatime të rënda dhe me parulla xhihadiste gjatë kalimit nëpër rrugë, teksa dëgjoheshin edhe të shtëna.

Qeveria irakiane pretendon se ka “rinisur iniciativën” kundër ofensivës së rebelëve sunitë.

Top Channel