
Kryeministri kinez Li Keqiang do të takohet me Mbretëreshën e Britanisë dhe kryeministrin David Cameron, në ditën e parë të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar.
Zoti Li mbërriti në Britani të hënën për një vizitë treditore, që është më tepër zyrtare sesa e rastësishme.
Kjo është vizita e parë e një kryeministri kinez që prej përplasjes së vitit 2012, për shkak të takimit të kryeministrit me liderin shpirtëror tibetian, Dalai Lama.
Zoti Li ka deklaruar se shpreson se vizita do të ndihmojë në ndryshimin e perceptimeve, sipas tij, të gabuara për vendin e tij. Megjithatë, Mbretëria ka deklaruar se mbetet thellësisht e shqetësuar për abuzimin me të drejtat e njeriut në Kinë.
Marrëdhëniet e nivelit të lartë mes Britanisë dhe Kinës ishin të ngrira për njëfarë kohe, por pas ndryshimit të lidershipit të Partisë Komuniste kineze në mars 2013, zoti Cameron vizitoi vendin në dhjetor.
Ministria e Brendshme njoftoi vizitën e zotit Li duke njoftuar njëkohësisht një shërbim të ri vizash, që do t’u ofrohen turistëve kinezë pas një projekti/pilot të realizuar për operatorët turistikë vitin e kaluar.
Vizitorët do të mund të përdorin një aplikacion të vetëm për të procesuar vizat për në Britani, ashtu sikurse për vizat Schengen, që do t’u mundësojë aksesin në 26 vendet anëtare të BE.
Kjo lëvizje vjen pasi autoritetet kineze u ankuan për vështirësitë e udhëtimit në Britani, ndryshe nga vende të tjera evropiane, ku një vizë i lejon njerëzit të vizitojnë të gjitha vendet anëtare të BE.
Top Channel