
Sinjale të reja shqetësuese për Perëndimin mbërrijnë nga Korea e Veriut, ku një film propagandistik i regjimit komunist tregoi pamje të një lloji të ri e të përmirësuar rakete kruiz.
Besohet se ajo është e ngjashme me “KH-35”-n ruse, e cila hyri në përdorim në 2003-shin.
Raketat kruiz janë relativisht të lira, të lehta për t’u prodhuar dhe mund të lëshohen në numra të mëdhenj nga deti, toka dhe ajri. Më të thjeshtat e tyre kanë një rreze veprimi prej 100 kilometrash, mund të komandohen nga kompjuterat në bordin e avionit luftarak, e janë mjaft të preferuara, sidomos për shënjestrimin e objektivave të përcaktuar.
Pjesa më e madhe e raketave, që ka zotëruar deri tani Peniani, janë shumë më të mëdha e me rreze më të gjatë veprimi. Vendi komunist është sot nën sanksionet e OKB-së, pikërisht për shkak të programeve të tij të armëve dhe ambicieve bërthamore.
Nuk janë të pakta shtetet e Perëndimit, që besojnë se Korea e Veriut po përpiqet të krijojë një armë atomike. Megjithatë, ekspertët duken të bindur se Peniani nuk ka arritur me sukses të prodhojë koka raketore aq të vogla, sa t’i bashkangjiten raketave të tij.
Por, ekspertët mendojnë se dëshmitë, që vendi komunist është duke prodhuar raketat e veta anti-anije, duhet të përbëjnë shqetësim, dhe jo vetëm për marinën amerikane apo fqinjët e Koresë së Veriut.
“KH-35” uran, me të cilën ngjasojnë raketat e Penianit, mund të mbajë deri në 150 kg mbushje raketore, për një distancë prej të paktën 130 kilometrash. Eksporti direkt i Moskës do të shkelte embargon e armëve të OKB-së kundër Penianit, por ka spekulime se, ky i fundit mund të ketë siguruar prototipe të raketës ruse nga Mianmari, apo në tregun e zi.
Top Channel