
Britania e Madhe po planifikon rihapjen e ambasadës së saj në Teheran. Ministri i Jashtëm britanik, William Hague deklaroi se “rrethanat dhe momenti është i duhur”.
Muajt e fundit marrëdhëniet mes Londrës dhe Republikës Islamike janë përmirësuar ndjeshëm. Që pas ardhjes në pushtet të presidentit të ri iranian, Hasan Rouhani shtatorin e vitit të kaluar, Irani ka ndërprerë retorikën anti-perëndimore dhe është ulur në tryezën e bisedimeve për programin e tij bërthamor.
Marrëdhëniet diplomatike mes Britanisë dhe Iranit u ndërprenë në vitin 2011, pas sulmeve të protestuesve kundër ambasadës së Londrës në Teheran.
Njoftimi mbërrin kur në të njëjtën periudhë Iraku fqinj po përballet me luftime të ashpra me ekstremistët sunitë dhe raportimeve se Irani po ofron ndihmë ushtarake për rivalin e tij historik.
“Nuk kemi patur asnjëherë dyshim se duhet të kemi një ambasadë në Teheran. Nëse rrethanat do ta lejojnë ne do të rihapim ambasadën tonë sa më parë që të jetë e mundur”, deklaroi Hague.
Ditët e fundit, interesi i përbashkët për t’iu kundërvënë militantëve ekstremistë të Shtetit të Levantit dhe Irakut, grup terrorist njohur si ISIS, ka afruar edhe më shumë perëndimin me Iranin. Shtetet e Bashkuara deklarojnë se nuk përjashtohet asnjë opsion, as ndërhyrja me trupa në Irak për të ndalur përparimin e ekstremistëve.
Irani ka kërkuar që të luajë rolin e tij në këtë luftë, kërkesë që është mirëpritur nga Uashingtoni. Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë angazhim të drejtpërdrejtë amerikan në luftën kundër ISIS, ndërsa Irani është angazhuar me forcat speciale në disa rajone veriore të Irakut.
Top Channel