Britania rihap ambasadën në Iran

17/06/2014 00:00

Ministri i Jashtëm britanik, William Hague ka deklaruar se planifikon rihapjen e ambasadës britanike në kryeqytetin e Iranit, Teheran.

“Pas përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe janë krijuar kushtet për të ndërmarrë këtë hap”, ka njoftuar Hague.

Marrëdhëniet diplomatike me Iranin ishin pezulluar pas sulmeve ndaj ambasadës britanike në Iran në vitin 2011.

Zgjedhja e presidentit të ri iranian dhe marrëveshja për menaxhimin e programit bërthamor ka ngrohur marrëdhëniet politike mes Republikës Islamike dhe Perëndimit.

Sipas raportimeve të BBC, interesat e përbashkëta për përballjen me militantët e ISIS në Irak ka përshpejtuar kontaktet mes palëve.

Redaktori politik i rrjetit informativ britanik, Nick Robinson deklaroi se William Hague zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian gjatë fundjavës.

Megjithatë, saktësoi ai, njoftimi i Hague nuk do të çojë në rihapjen e menjëhershme të ambasadës, por kjo do të bëhet në bazë të progresit gradual diplomatik.

Zgjedhja e Hassan Rouhanit president vitin e kaluar, i konsideruar si një lider shumë më i moderuar se parardhësi i tij, shihet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes Iranit dhe Perëndimit.

Sir William Patey, ish-ambasador i Britanisë në Iran, deklaroi se është një moment shumë domethënës që dy vendet të merren vesh me njëri-tjetrin.

Top Channel