Kryetarët e LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën janë takuar të hënën në selinë e LDK-së, ku kanë diskutuar për disa orë mbi programin qeverisës.

Në këtë takim nuk është folur për ndarjen e ministrive, pasi kjo çështje pritet të diskutohet vetëm pas 4 javësh, kohë që do të marrë dhe hartimi i planit qeverisës.

Bilal Sherifi nga Nisma për Kosovën, që ka qenë pjesë e takimit, ka thënë për Top Channel se ka kaluar koha kur subjektet flasin vetëm për poste.

“Mendojmë se Kosova po hyn në një fazë ku partnerët para se të bisedojnë për postet, para se të bisedojnë për emrat e ministrave e zv/kryeministrave, të bisedojnë për programin e qeverisë. Aktualisht neve na presin punë të mëdha drejt harmonizimit të programeve tona, me qëllim që të dalim me një program të përbashkët. Mendoj se brenda një periudhe tre-katër javore do t’ia arrijmë”, ka thënë Sherifi.

Sherifi po ashtu ka thënë se në legjislaturën e re, koalicioni do të ketë një grup të madh parlamentar të cilit sipas tij i takon edhe kreu i Kuvendit.

Në anën tjetër, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi pretendon se partia e tij ka të drejtë si në zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, sikurse në formimin e qeverisë.

Megjithatë, përmes një përgjigjeje elektronike për Top Channel, ai ka deklaruar se duhet të pritet çertifikimi i rezultateve me qetësi dhe përgjegjësi nga të gjithë e pastaj të veprohet konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Në Nenin 67 të Kushtetutës, ku flitet për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, thuhet se i pari propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Fisnik Korenica ka thënë se pas konstituimit të Parlamentit të ri, partitë e bllokut opozitar do të kenë mundësi të formojnë grupin më të madh parlamentar dhe si rrjedhojë do të kenë të drejtën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

“Menjëherë pasi të betohen deputetët, një numër i caktuar i partive politike mund të formojnë një grup parlamentar të bashkuar. Dhe ky në fakt mbetet një grup më i madh sesa ai i PDK-së. Dhe këtë e regjistrojnë menjëherë në sekretarinë e Kuvendit. Menjëherë pas procesit të regjistrimit ky grup i ri, që tashmë është më i madhi dhe ka në vete deputetë të disa subjekteve politike, gëzon të drejtën ekskluzive për të propozuar kreun e Kuvendit”, deklaron Korenica.

Debatet rreth të drejtës kushtetuese se kush mund t’i formojë institucionet e reja në Kosovë pritet të përfundojnë pas interpretimit që do të bëjë Gjykata Kushtetuese, pas çertifikimit të rezultateve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA