Shpërthim me makinë në Moskë, tre të vdekur, mes tyre dy oficerë policie
Policia spanjolle arrestoi 8 persona, me dyshimin se rekrutonin militantë për të luftuar në Siri e Irak. Edhe këtu, në skenë ka dalë ISIS, organizata islamike që po terrorizon veriun e Irakut.
Të dyshuarit, sipas autoriteteve vendase, po përpiqeshin të dërgonin njerëz për të luftuar në krah të ndjekësve të të ashtuquajturit Shteti Islamik në Irak dhe Levant.
Operacionet policore u zhvilluan në Madrid, orët e para të mëngjesit të sotëm. Nga sa pohohet në deklaratën e autoriteteve spanjolle, lideri i celulës i identifikuar si Lahcen Ikasrrien është mbajtur për disa vjet në Guantanamo Bay të Kubës, pas arrestimit në Afganistan, por është liruar në 2005-n për mungesë provash.
Raporte të pakonfirmuara në median spanjolle tregojnë se njëri prej 8 të ndaluarve ishte nga Spanja, një tjetër nga Argjentina dhe 6 vinin nga Maroku.
Këto muajt e fundit, forcat vendase të sigurisë kanë ndërmarrë një seri aksionesh kundër militantëve dhe, me dyshimin e rekrutimit të luftëtarëve për grupet islamike në Libi dhe Mali, disa persona u arrestuan gjatë muajit Maj në enklavën e Melilla-s.
Ndërsa këtë fundjavë, një shtetas francez u ndalua nga policia gjermane, me dyshimin se luftonte për militantët në Siri. Ai u ndalua sapo mbërriti në Berlin, me avion nga Stambolli.
Nga ana tjetër, policia belge, që po heton vrasjen e katër personave në muzeun hebraik të Brukselit, është duke kërkuar nga Franca ekstradimin e një militanti, i cili kishte kaluar një vit me ekstremistët në Siri.
Top Channel