SHBA mund të nisë sulmet ajrore në Irak

16/06/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se mund të nisin sulmet nga ajri dhe të veprojnë së bashku me armiqtë e betuar të Iranit, në mbështetje të qeverisë irakiane, pas një kryengritjeje të përgjakshme të militantëve islamikë anembanë Irakut që ka prishur aleancat tradicionale në Lindjen e Mesme.

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë zmbrapsur ushtrinë e Irakut dhe kanë pushtuar veriun e vendit gjatë javës së kaluar, duke kërcënuar se do të shkatërronin Irakun dhe do të nisnin një luftë sektare pa pasur parasysh kufij kombëtarë.

Veprimet e përbashkëta mes SHBA-ve dhe Iranit për të ndihmuar rimëkëmbjen e qeverisë e aleatit të tyre të përbashkët, do të ishin të paprecedenta që prej revolucionit të vitit 1979 në Iran, duke demonstruar urgjencën dhe alarmin e ngritur prej avancimit të kryengritësve të armatosur islamik.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e quajti këtë avancim si një “kërcënim për ekzistencën” e Irakut. I pyetur nëse SHBA-të do të bashkëpunojnë me Iranin kundër islamikëve, Kerry tha për “Yahoo News”: “Nuk do të përjashtoja asgjë, që do të ishte konstruktive”.

Sa i përket sulmeve nga ajri: “Ato nuk janë e gjithë përgjigja jonë, por sërish mund të jenë një nga opsionet më të rëndësishme”, tha ai. “Kur sheh njerëzit të vdesin, të vriten në këto masakra masive, duhet të reagosh dhe t’i ndalësh ata. Ndaj, duhet të bësh atë që është e nevojshme të bëhet, nëse kërkon të përpiqesh t’i ndalësh, qoftë nga ajri, apo në mënyrë tjetër”.

Britania, dikur aleatja e vetme e madhe e Uashingtonit në fushëbetejë, në Irak, njoftoi se kishte biseduar tashmë me Iranin gjatë ditëve të fundit. Një zyrtar amerikan tha se takimet me Iranin do të mbahen këtë javë, por do të diskutohet edhe për bisedimet ndërkombëtare të çështjes bërthamore.

Irani ka lidhje të forta me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki dhe politikanët e tjerë shiitë, të cilët erdhën në pushtet në Irak pas invazionit të SHBA-ve që bëri të mundur rrëzimin e Saddam Hussein, në vitin 2003.

Kriza e Irakut, SHBA përfshin Iranin
Bota shokohet nga pamjet e masakrave të xhihadistëve ndaj ushtarëve irakianë

Uashingtoni mund të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin mbi situatën e sigurisë në Irak, lëvizje kjo që pason deklaratat e Barack Obamës, se po mendon çfarë veprimesh do të ndërmerren, duke përjashtuar këtu dislokimin e trupave në terren.

Takimi mbase zhvillohet që këtë javë. Dy vendet duhet të zhvillojnë në Vjenë raundin e fundit të negociatave mbi programin bërthamor të Iranit, por mbase do të shfrytëzohet rasti për të diskutuar edhe mbi Irakun.

Presidenti iranian Hassan Rouhani nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me Amerikën mbi këtë çështje. Aeroplanmbajtësja “USS George H.Ë. Bush” është aktualisht e pozicionuar në Gjirin Persik, e shoqëruar prej një kryqëzori me raketa dhe një destrojeri.

Shtetet e Bashkuara kanë përforcuar gjithashtu sigurinë e Ambasadës së tyre në Bagdad e një pjesë e stafit është dërguar në zona më të sigurta.

Uashingtoni, ndërkohë, dënoi ashpër fotot e tmerrshme të publikuara online nga militantët sunitë, ku shihen rebelët duke masakruar ushtarët irakianë. Ushtarët tregohen të shtrirë në llogore, para dhe pas ekzekutimit.

Ushtria irakiane thotë se fotografitë janë të vërteta, edhe pse autenticiteti i tyre ende nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Nëse provohen reale, fotot në fjalë do të përbëjnë dëshminë e masakrës së vetme më të madhe, që prej ndërhyrjes ushtarake të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në këtë vend, në 2003-shin.

Të tilla zhvillime vijnë në kohën kur qeveria e Nuri al-Malikit pretendon se forcat e saj kanë shënuar progres në terren, në ofensivën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL), në duart e të cilëve kanë rënë disa qytete të veriut të vendit, përfshirë edhe qendrat kryesore të Mosulit e Tikritit.

Sipas BBC-së, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë një armiqësi të vjetër mes tyre, që të dyja palët janë të interesuara në frenimin e hovit të ISIS-it dhe po mendojne t’i ofrojnë mbështetje ushtarake qeverisë irakine.

Irak, militantët zotërojnë “pengesën” Tal Afar
Sunitët marrin nën kontroll qytetin tampon mes Irakut dhe Sirisë

Militantët sunitë kanë marrë nën kontroll qytetin verior irakian të Tal Afar-it, bëjnë të ditur zyrtarë dhe rezidentë.

Militantët e udhëhequr nga ISIS (ISIL), apo Shteti Islamik në Irak dhe Levant, kanë pushtuar disa qytete kryesore gjatë javës së fundit, përfshi këtu Mosulin dhe Tikritin, por disa fshatra janë rikthyer në duart e ushtrisë irakiane.

Luftimet në Tal Afar nisën të dielën, me bombardimin me mortaja të disa periferive, teksa militantët u përpoqën të hynin në qytet.

Tal Afar është një qytet kryesisht shiit me qytetarë të etnisë turkmene, teksa shihej si një pengesë ndaj territoreve të kontrolluara prej militantëve në Irak dhe Siri.

Një qytetar i Tal Afarit tha nëpërmjet telefonit për agjencinë e lajmeve Associated Press, se militantët me kamionë hynë me armatime të rënda dhe me parrulla xhihadiste gjatë kalimit nëpër rrugë, teksa dëgjoheshin edhe të shtëna.

Qeveria irakiane pretendon se ka “rinisur iniciativën” kundër ofensivës së rebelëve sunitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB