Pakistan, ofensiva kundër terroristëve

16/06/2014 00:00

Pakistani ka ndërmarrë atë që e cilëson si ofensivë vendimtare kundër bazave terroriste të huaja e vendase në Vaziristanin Verior. Kjo zonë fisnore përshkruhet nga zyrtarët amerikanë si epiqendër e terrorizmit ndërkombëtar.

Njoftimi për operacionin e gjerë ushtarak erdhi disa orë, pasi Uashingtoni pohoi ndërmarrjen e një serie goditjesh nga ajri në orët e para të ditës, kundër objekteve që dyshohen si baza ekstremiste, duke vrarë mbi 100 ekstremistë të huaj, siç thuhet në deklaratë.

Zëri i Amerikës citon një zëdhënës të ushtrisë pakistaneze të pohojë se qeveria u ka dhënë urdhër trupave të eliminojnë “terroristët” nga zona dhe të mos lejojnë “vendosjen e armikut” në pika të tjera në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Khaëaja Asif, sqaroi se qeveria është detyruar të përdorë forcën, pasi përpjekjet për ta eliminuar këtë problem përmes bisedimeve të paqes me talebanin pakistanez nuk dhanë sukses.

Pavarësisht bisedimeve, tha ai në komentet për një stacion televiziv lokal, kryengritësit kanë vazhduar sulmet në vend. Sa për personat e vrarë gjatë mësymjes, sipas zyrtarit të lartë vendas, në mesin e tyre ishin edhe organizatorët e sulmeve të javës së kaluar në aeroportin e Karaçit, ku gjetën vdekjen 50 vetë, përfshirë 10 autorët e sulmit.

Talebanët pakistanezë morën përgjegjësinë e ngjarjes së rëndë, duke thënë se goditja u krye nga operativë të degës së tij në Uzbekistan. Sulmi, sipas Zërit të Amerikës, rezultoi në presion mbi kryeministrin Naëaz Sharif, për të braktisur procesin e pashpresë të paqes me ekstremistët, dhe për të ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë kundër tyre.

Zyrtarët ushtarakë thonë se u kanë kërkuar rojeve afgane të kufirit të mbyllin anën e tyre të vijës kufitare, për të lehtësuar veprimet pakistaneze dhe për të mos lejuar largimin e ekstremistëve përmes kufirit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB