Shpërthim me makinë në Moskë, tre të vdekur, mes tyre dy oficerë policie Nga Iraku në Kenia, viktimat e ekstremistëve islamikë sa vjen e shtohen. Prej vendit afrikan mbërrijnë njoftime për një ripërtëritje të dhunës me sulmet e egra ndaj disa ndërtesave dhe një stacioni policie, në Mpeketoni.
Të paktën 48 vetë mendohen të kenë humbur jetën në qytetin bregdetar, të ndodhur pranë ishullit Lamu, një pikë e njohur turistike. Kenia është bërë skenë e një serie sulmesh të militantëve që prej 2011-s, kur forcat e saj ushtarake hynë në Somalinë fqinje për të luftuar me milicinë al Shabab.
Ky i Mpeketonit është sulmi më vdekjeprurës i regjistruar në vend, që prej rrethimit të qendrës tregtare “Westgate” në Nairobi, në muajin Shtator, ku u vranë 67 vetë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20 e 30 me orën lokale, kur vendasit po ndiqnin në televizion një ndeshje të kampionatit botëror të futbollit. Agresorët kishin grabitur një mikrobus, të cilin e përdorën për të mësyrë ato pjesë të qytetit, nëpër të cilat kalojnë turistët përpara se të vizitojnë Lamu-n.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i këshilluan qytetarët e tyre të qëndrojnë larg bregdetit kenian. Ngjarja e së dielës erdhi pak ditë, pasi qeveria britanike mbylli konsullatën e saj në qytetin-port të Mombasës, duke cituar për këtë lëvizje kërcënimet e larta ndaj sigurisë së shtetasve të vet.
Vazhda e gjakderdhjes, që nisi këto ditë me avancimin e islamikëve të ISIS-it në Irak, e po vazhdon me mizoritë në Kenia, ka shtuar frikën e një ere të re terrori në pjesë të ndryshme të globit.
Përgjatë gjithë muajit të kaluar, media botërore është përballur me pamje të një egërsie të skajshme në Irak, Afganistan, Kenia, Palestinë e Siri. Grupet e terrorit pas këtyre akteve duket se e shijojnë publicitetin, që mendojnë se u bëhet, e gjithmonë e më shumë janë duke përdorur rrjetet sociale, Twitter e Facebook, për promovimin e axhendave të tyre të urrejtjes e vrasjeve.
Për barbarizmat e një dite më parë, autoritetet keniane fajësuan al Shabab-in e njohur për lidhjet me al-Kaedën, i cili ishte përgjegjës edhe për sulmin e qendrës tregtare në Nairobi.
Top Channel