Ukraina, ditë zie për viktimat e avionit

15/06/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, shpalli të dielën një ditë zie, për shkak të 49 viktimave të shkaktuar nga të shtënat dhe rrëzimi i një avioni ushtarak ukrainas prej separatistëve pro-rusë.

“Kjo është një humbje e madhe, jo vetëm për familjarët e tyre, por për të gjithë vendin”, tha Poroshenko për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Ukrinform”. “Ukraina mban sot zi, por ne do të vazhdojmë me vendosmëri betejën tonë për paqe”.

Avioni transportues ushtarak “Ilyushin-76” u rrëzua gjatë orëve të para të së shtunës, teksa i afrohej aeroportit në qytetin lindor ukrainas, Luhansk, bëri të ditur zëdhënësi i ushtrisë, Vladislav Seleznyov. “Ukrinform” tha se avioni kishte trupa paraushtarakë, pajisje dhe ushqime.

“Të gjithë ata, që janë përfshirë në këtë akt cinik terrorizmi të një shkalle të gjerë, do të ndëshkohen me vendosmëri”, tha Poroshenko. “Ukraina ka nevojë për paqe, ndërsa terroristët do të marrin përgjigjen e duhur”.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes tha se avioni, i cili po transportonte personel ushtarak, u godit nga kryengritësit pro-rusë, të cilët përdorën mitralozë kundër-ajrorë. “Ukrinform” tha se 3 ushtarë të tjerë u vranë mëngjesin e së shtunës, pranë Mariupolit.

Sulmi ndaj avionit, që përfaqëson edhe një nga ngjarjet me më shumë viktima gjatë periudhës së fundit të trazirave në vend, shkaktoi një stuhi diplomatike, që synon të kufizojë përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.

Presidenti francez, Francois Hollande, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilluan bisedime telefonike gjatë së shtunës me presidentin rus, Vladimir Putin, në lidhje me krizën në Ukrainë.

Hollande dhe Merkel shprehën shqetësimin e tyre të thellë, në lidhje me luftimet e vazhdueshme në Ukrainën Lindore, veçanërisht për sulmin e së shtunës, bënë të ditur zyrtarë nga “Elysee”. Liderët francezë dhe gjermanë theksuan edhe njëherë rëndësinë e arritjes së një armëpushimi në Ukrainë, si dhe shmangien e transferimit të luftëtarëve dhe armëve përmes kufirit ruso-ukrainas, sipas zyrës së presidentit Hollande.

Kremlini bëri të ditur se 3 liderët folën gjithashtu edhe për hartimin e një draft-rezolute në Këshillin e Sigurimit në OKB, me synimin për të nxitur një zgjidhje të krizës. Liderët europianë theksuan nevojën për një marrëveshje mbi vazhdimin e furnizimit me gaz natyror nga Rusia drejt Ukrainës, sipas “Elysee”-së.

Ndërkohë, në telefonatën e tij me Hollande, Poroshenko nxiti Bashkimin Europian të konsiderojë sanksione të reja kundër Rusisë, përfshi përfundimin e “bashkëpunimit ushtarako-teknik”, bëhet e ditur nga zyra e Poroshenkos.

Kryeministri ukrainas, Arseiy Yatsenyuk, foli në telefon me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve dhe “shqetësim të fortë” në lidhje me furnizimin me armë të rënda dhe militantë nga kufiri me Rusinë, tha një zyrtar i lartë i DASH.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB