“Nuk e shkaktuam ne krizën në Irak”

15/06/2014 00:00

Invazioni i vitit 2003 në Irak nuk duhet fajësuar për kryengritjen e dhunshme që ka përfshirë tashmë vendin, bëri të ditur ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair.

Duke shkruar në faqen e tij të internetit, ai shtoi se dhuna ishte “efekti i parashikueshëm dhe i rrëzikshëm” i mosveprimit në Siri.

“Ne duhet të lirojmë veten tonë nga nocioni se ‘ne’ e shkaktuam këtë, – shkruan ai. – Por, nuk është kështu”. Ai shtoi se idea, që kriza aktuale vjen si pasojë e rrëzimit të Saddam Hussein në vitin 2003, është “e çuditshme”.

Blair tha se pushtimi i Mosulit nga kryengritësit sunitë ishte planifikuar përgjatë kufijve me Sirinë. Siria është e përfshirë prej 3 vitesh nga një luftë civile, në të cilën me dhjetra-mijëra njerëz kanë vdekur, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur.

Në Gusht të vitit të kaluar, një sulm me lëndë kimike në kryeqytetin Damask la të vdekur me qindra persona. Po atë muaj, parlamentarët e Britanisë së Madhe hodhën poshtë idenë për një sulm ajror ndaj qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, për të ndëshkuar përdorimin e armëve kimike.

“Por, sa herë që kemi refuzuar të veprojmë – shkruan Blair, – jemi detyruar të ndërmarrim veprime edhe më të mëdha, në fund të fundit”.

Blair komenton: “I kuptoj të gjitha justifikimet, pas luftrave në Afganistan dhe Irak, se përse opinioni publik ishte kaq armiqësor ndaj përfshirjes sonë në Siri. Por, veprimet ndaj regjimit të Assad mund të mos ishin të natyrës së angazhimit ushtarak”.

“Aty ku ekstremistët luftojnë, ndaj tyre duhet të përgjigjemi me vendosmëri dhe forcë”, tha ai. “Por, kjo nuk do të thotë që të dërgohen trupa nga Perëndimi, si në Irak. Ka mënyra të shumta kundëpërgjigjeje, nga të cilat mund të zgjedhim. E rëndësishme është që ata duhet ta dinë se, sa herë që duan të angazhohen në akte terrorizmi, ne do t’i godasim”.

Kryengritësit sunitë, nga Shteti Islamik në Irak dhe Levant (ISIL/ISIS), e konsiderojnë shumicën shiite të Irakut si “jobesimtarë”.

Top Channel