Kiev, sulmohet Ambasada Ruse

15/06/2014 00:00

Rusia reagoi ashpër ndaj protestave të dhunshme përpara Ambasadës së saj në Kiev ku demonstruesit thyen xhamat e dritareve të ndërtesës, përmbysën makina me targa diplomatike e shkulën flamurin rus.

Moska i akuzoi policët ukrainas se nuk bënë asgjë për të ndaluar sulmin, të cilin e konsideron “shkelje të rëndë të detyrimeve ndërkombëtare të Ukrainës”.

Departamenti amerikan i Shtetit e përkrahu qëndrimin e Moskës, duke e dënuar sulmin ndaj selisë diplomatike ruse e duke i bërë thirrje autoriteteve ukrainase të përmbushin detyrimet që burojnë nga konventa e Vjenës për të garantuar sigurinë e nevojshme.

NATO publikoi pamje që sipas aleancës ushtarake mbështesin pretendimet e Kievit se tanket ruse kanë hyrë në Ukrainë, në kohën kur Kremlini i mohoi pretendimet se po dërgon tanke e autoblinda për të ndihmuar rebelët pro-rusë në rajonet lindore të vendit fqinjë.

Fotot e NATO-s tregojnë tanke T-64 të ndodhur fillimisht në një zonë ushtarake rusë, pranë qytetit Rostov, e më pas po të njëjtat mjete shfaqen brenda territorit ukrainas.

Nën hijen e Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil dhe krizës së re në Irak, situata ne lindje të Ukrainës po njeh ngadalë një tjetër përshkallëzim.

Tre tanket thuhet të kenë avancuar deri në Donetsk ku më vonë u nxorën jashtë funksioni nga njësitë ukrainase. Zyrtarë vendas shprehen se më parë, ato kanë qenë në inventar të ushtrisë së Kievit në Krime, e pas kësaj janë dërguar me anije nga gadishulli në tokën ruse.

Prej ditësh bloger-at informojnë se nga Rusia po lëviz në brendësi të Ukrainës kolona të vogla kamionësh ushtarake me qindra luftëtarë, me tonelata armësh zjarri, por edhe me topa e tankistë. Kjo është e mundur pasi qeveria ukrainase ka humbur kontrollin e një pjese të madhe të vijës kufitare.

Disa ekspertë argumentojnë se nuk shohin një invazion rus në lindje të Ukrainës dhe thonë se përmasat e lëvizjeve, më shumë dëshmojnë një operacion të fshehtë klasik. Rusia sipas tyre ka hequr dorë nga planet e pushtimit, por po kërkon ta destabilizoje vendin me mënyra të tjera.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta