
Ushtria izraelite ka njoftuar arrestimin e rreth 80 palestinezëve, si pjesë e përpjekjeve për të rikthyer 3 adoleshentët izraelitë, të zhdukura në Bregun Perëndimor. Izraeli bëri të ditur gjatë së shtunës se ata ishin rrëmbyer nga një “grup terrorist”.
Studentët humbën pranë një blloku izraelit banesash në veri të Hebron-it, teksa ishin duke u kthyer nga leksionet e pasdites. Zhdukja e tyre shihet si një ngërç i madh në marrëdhëniet mes dy palëve, që prej formimit të qeverisë palestineze të unitetit, gjatë muajit Prill.
Izraeli ka njoftuar ndërmarrjen e një “operacioni intensiv” për të gjetur dy 16-vjeçarë dhe një 19-vjeçar. Zyrtarët palestinezë janë shprehur se po bashkëpunojnë për kërkimin e tyre.
Adoleshentët janë identifikuar si Naftali Frenkel dhe Gilad Shaar, të dy 16 vjeç, si dhe Eyal Yifrach, 19 vjeç. Ata janë parë për herë të fundit në zonën e Gush Etzion, një bllok banesash hebreje, që ndodhen mes Jeruzalemit dhe qytetit Hebron, të dominuar nga palestinezët.
Fati i tyre ka kapluar Izraelin, teksa të gjitha mediat kryesore mbulojnë këtë ngjarje. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar tashmë se bën përgjegjëse Autoritetin Palestinez për mirëqenien e adoleshentëve.
Në kundërpërgjigje, zyrtarët palestinezë kanë theksuar se ata të tre kanë humbur në një zonë, e cila është nën kontrollin e plotë të izraelitëve.
Në një deklaratë të hershme mbi operacionin, ushtria izraelite vuri në dukje pengmarrjen e ushtarit izraelit, Gilad Shalit, në vitin 2006 dhe tha se 3 adoleshentët mund të jenë rrëmbyer për t’u këmbyer me të burgosur palestinezë, që mbahen në burgjet e Izraelit.
Izraeli pezulloi bisedimet për paqe me palestinezët, në momentin që u njoftua qeveria palestineze e unitetit, e mbështetur nga Hamas. Shteti hebre këmbëngul të mos ulet për arritjen e një marrëveshjeje paqe me qeverinë palestineze, për sa kohë që aty bën pjesë edhe Hamas, një organizatë terroriste që kusht kryesor të saj ka mosekzistencën e shtetit izraelit.
Top Channel