
Hillary Clinton po prezanton librin e saj “Hard Choices” (Zgjedhje të vështira) dhe po ndiqet nga simpatizantë të shumtë të cilët i kërkojnë të shpallë kandidaturën për presidente të Shteteve të Bashkuara. Por kjo do të mësohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Në librin e fundit, Clinton shtjellon politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara gjatë detyrës si sekretare e Shtetit. Duke folur në Uashington, Clinton e bëri të qartë se po ndjek me shumë vemendje politikat e brendshme.
“Ne e dimë se Amerika është më e fuqishme kur mirëqenia dhe qëllimi i përbashkët ndahen gjërësisht, kur të gjithë kanë mundësinë për të marrë pjesë plotësisht në ekonominë dhe demokracinë tonë”, deklaroi ajo.
Aktualisht Clinton kryeson në sondazhe për postin presidencial. John Sides nga Departamenti i Shkencave Politike të Universitetit George Uashington thotë se ajo duket të jetë një nga kandidatet më të fuqishme gjatë dekadave të fundit.
Kjo nuk është hera e parë që Hillary Clinton ndodhët në këtë pozicion. Ajo ishte favorite në radhët e kandidatëve demokratë për postin presidencial në vitin 2008, por u mposht përballë ish-senatorit Barack Obama, i cili u bë presidenti i parë afro-amerikan i Shteteve të Bashkuara.
Analistja demokrate Cylinda Lakes parashikon që fushata e vitit 2016 të bashkojë gratë votuese, të cilat besojnë se ka ardhur sërish koha të ndryshojnë historinë duke zgjedhur të parën grua presidente të Amerikës. Duke iu kthyer historisë, votuesit nuk i kanë qëndruar besnikë kandidatëve që kanë kryesuar në sondazhet fillestare.
Top Channel