Separatistët rrëzojnë avionin; Kievi: Hakmarrje

14/06/2014 00:00

Kryengritësit pro-rusë goditën një avion ushtarak transporti në Lindje të Ukrainës duke shkaktuar vdekjen 49 personave në bord, 40 ushtarëve dhe 9 pjesëtarëve të ekuipazhit.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se avioni Il-76 u rrëzua pasi u godit me kundra-ajror mbi Luhansk. Në deklaratën e tyre thuhet se “terroristët goditën në mënyrë cinike dhe tradhëtare avionin”.

Avioni që transportonte ushtarë dhe pajisje ushtarake do të ulej në aeroportin e qytetit. Siç shkruan BBC, kjo mendohet të jetë humbja më e madhe në radhët e ushtrisë në një aksident të vetëm prej kohës kur Kievi nisi ofensivën për të mposhtur kryengritjen në lindje të Ukrainës.

Autoritetet ukrainase nisën hetimet si mundën separatistët të rrëzonin avionin. Duke iu referuar raportimeve të para ishin përdorur tre predha.

Incidenti vjen në më pak se një javë pasi rebelët pro-rusë ndërmorën një seri sulmesh në Aeroportin Ndërkombëtar të Luhanskut.

Aeroporti është nën kontrollin e ushtrisë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit mbahet nga kryengritësit. Luhansku është qyteti kryesor i njërit prej dy rajoneve lindore, ku separatistët pro-rusë kanë shpallur pavarësinë nga Kievi.

Dy muajt e fundit, operacioni i ushtrisë kundër terroristëve shkaktoi vdekjen e 270 personave. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, bëri thirrje t’i jepet fund luftimeve këtë javë, pas betimit të tij, të dielën e kaluar.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara besojnë plotësisht se tanket e përdorur nga separatistët në lindje të Ukrainës vijnë nga Rusia, gjë që është mohuar nga Moska.

Poroshenko: Hakmarrje për avionin e rrëzuar
Do t’u japim përgjigjen e merituar terroristëve

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka deklaruar se Kievi do t’i përgjigjet separatistëve pro-rusë që qëlluan dhe rrëzuan avionin ushtarak në lindje të vendit, duke vrarë 49 persona.

“Personat e përfshirë në një akt terrorist kaq cinik duhet të ndëshkohen”, deklaroi zoti Poroshenko, i cili thirri krerët e strukturave të sigurisë për një takim të jashtëzakonshëm.

“Ukraina ka nevojë për paqe, por megjithatë, këta terroristë do të marrin përgjigjen e merituar”, tha presidenti përmes një komunikate për shtyp pas takimit.

Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes po hetojnë për të zbuluar se si separatistët e rrëzuan avionin në lindje, me raportimet paraprake që flasin për përdorimin e tre raketave “Stinger”, ose një mitroloz të kalibrit të rëndë.

Ndërkohë, edhe Moska ka reaguar lidhur me ngjarjen, duke u shprehur e acaruar për protestën e dhunshme të zhvilluar jashtë selisë së ambasadës së saj në Kiev, xhamat e të cilës u thyen dhe flamuri rus u rrëzua.

Ministria e Jashtme ruse akuzoi policinë ukrainase se nuk bëri asgjë për të ndalur sulmet, duke thënë se “ishte një shkelje e rëndë e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e Ukrainës” dhe duke i kërkuar Kievit që të garantojë sigurinë e diplomatëve.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes komunikoi më herët se avioni i transportit “Ilyushin-76” u sulmua nga qyteti i Luhanskut, ku dhe duhej të ulej për të vendosur atje trupa dhe pajisje ushtarake. Të gjithë personat që ndodheshin në bord, 9 anëtarë të ekuipazhit dhe 40 ushtarë, mbetën të vrarë.

Mendohet që kjo të jetë humbja më e rëndë në një incident të vetëm që kanë pësuar forcat qeveritare ukrainase që nga nisja e operacioneve për vënien nën kontroll të rebelimit pro-rus në lindje të vendit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB