Rreth 46 mijë nxënës të shkollave të mesme në Kosovë i janë nënshtruar të shtunën testit të maturës në 390 qendra në 30 komuna të vendit.

Këtë vit është dyfishuar numri i nxënësve krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të heqjes së klasës së 13. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të komisionerëve të qendrave dhe kryetarëve të komisioneve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka vizituar nxënësit në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Don Bosko”, në Prishtinë, për të parë nëse testi i maturës po shkon mirë.

“Kemi 46 mijë nxënës në test mature. Organizimi është bërë më së miri. Deri tani nuk kemi pasur asnjë telash, përveç ndonjë vonese eventuale diku dhe konsiderojmë që gjithçka po shkon mirë”, ka deklaruar Buja.

Të kënaqur me mbarëvajtjen e testit janë edhe vetë nxënësit, ndërsa pyetjet nuk cilësohen shumë të vështira. “Unë jam nga shkolla “Don Bosoko”. Testi është i mirë, nuk është i vështirë dhe pyetjet janë të kuptueshme. Duhet vetëm pak përqëndrim më i madh”, ka thënë nxënësi Blend Bajgora.

Testi i maturës shtetërore përbëhet nga 200 pyetje dhe duke iu përgjigjur saktë 50 për qind të tyre nxënësit kalojnë provimin. Ministria e Arsimit ka përgatitur 12 lloje të testeve për secilin profil të shkollimit, duke i ofruar ata në gjuhën shqipe, turke, boshnjake, serbe dhe angleze. Testi ka zgjatur 180 minuta, pa pauzë, ndërsa rezultatet pritet të shpallen më 7 korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA