Irani: Gati të ndihmojmë Irakun

14/06/2014 00:00

Irani është i gatshëm të ndihmojë qeverinë e Irakut në betejën kundër ekstremistëve sunitë, ka deklaruar presidenti Hassan Rouhani.

Por ai ka mohuar zërat se Irani ka dërguar trupa në vendin fqinj për të ndihmuar forcat lokale të sigurisë.

“Nëse qeveria irakene na kërkon ndihmë, ne mund të ofrojmë atë asistencë që ata do të donin në luftën kundër terrorizmit”, ka thënë presidenti Rouhani në një konferencë për shtyp.

Megjithatë, ka theksuar ai, angazhimi i trupave iraniane nuk është diskutuar dhe ofrimi i ndihmës dhe angazhimi në operacione ushtarake janë dy gjëra të ndryshme.

I pyetur konkretisht për këtë çështje nga BBC, presidenti i moderuar i Republikës Islamike ka shtuar se deri tani nga Bagdadi zyrtar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për ndihmë.

Më tej, ai nuk e ka përjashtuar as bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për të sjellë kontrollin në Irak. “Mund ta shqyrtojmë si mundësi nëse Amerika nis një përballje me terroristët në Irak apo kudo tjetër”, ka shtuar Rouhani.

Rebelët, anëtarë të grupit Shteti Islamik në Irak dhe Levant, kanë marrë nën kontroll qytetet e Mosulit dhe Tikritit, ndërkohë që po lëvizin drejt Bagdadit, të cilit i janë afruar.

Ata e konsiderojnë shumicën shiite të vendit si të pabesë. Irani ka lidhje të ngushta me lidershipin shiit të Irakut, që erdhi në pushtet pas rrëzimit të presidentit Saddam Hussein, pushteti i të cilit ishte minoriteti sunit i vendit.

Grupi i rebelëve është më ekstremist se kurrë dhe është ngritur e organizuar gjatë pushtimit amerikan. Ai është gjithashtu një nga milicitë e shumta xhihadiste që lufton regjimin e Bashar al Assad në Sirinë fqinje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB