Irak, kleriku Shiit: Të luftojmë terroristët

14/06/2014 00:00

Kleriku më i lartë shiit bën thirrje për t’u armatosur në kohën kur rebelët sunitë kanë marrë nën kontroll disa qytete të Irakut.

Në lutjen e së premten në Qerbela, Sheiku Abdul Mehdi al Karbalai tha: Qytetarët që janë në gjendje të sigurojnë armët dhe të luftojnë terroristët për të mbrojtur vendin, popullin dhe vendet e shenjta duhet të dalin vullnetar dhe t’u bashkohen forcave të sigurisë për të arritur këtë qellim të shenjtë.

Korrespondenti i BBC-së në Bagdad, Richard Galpin tha se ka raportime se mijëra vetë i janë bashkuar milicëve shiite, që mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e kryeqytetit irakian.

Ndërsa militantët po zhvendosën në provincën e Dijalas, në kufi me Iranin ata u përleshën me milicitë shiite ne UdHaim, rreth 90 km në veri të Bagdadit dhe Mukdadijas, 80 km në veri-lindje të Bagadadit.

Sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara qindra persona kanë humbur jetën dhe militantët kanë kryer ekzekutime në grup të civilëve në Mosul.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe Irani premtuan ndihmë për të luftuar rebelët islamikë. Gazeta prestigjioze “Wall Street Journal” citon burime që ruajnë identitetin, sipas te cilave Teherani ka dërguar dy batalione të forcave elitare Al Kuds, të rojës revolucionare për të ndihmuar qeverinë irakiane.

Në një konferencë për shtyp, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se Iraku po përballet me një armik të pamëshirshëm që përbën edhe një kërcënim për interesat e Shteteve të Bashkuara. Ai gjithashtu tha se Kryeministri, Nuri Al Maliki duhet te bëjë me shumë për të zgjidhur kundërshtitë politikë të ndezura nga dallimet sektare.

Të drejtuar nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, kryengritësit sunitë kanë kërcënuar se do të avancojnë në Bagdad dhe rajonet më në jug, që dominohen nga shumica shiite, që i konsiderojnë të pafe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA