Afganët votuan për balotazhin

14/06/2014 00:00

Afganët votuan për të zgjedhur pasuesin e presidentit Hamid Karzai. Në sfidë janë dy kandidatë: ish-ministri i Jashtëm Abdullah Abdullah dhe ish-ekonomisti i Bankës Botërore, Ashraf Gani.

Zgjedhja e njërit prej tyre si president i vendit do të shënojë dhe transferimin e parë demokratik të pushtetit. Ekziston frika se manipulimi i votave mund të prodhojë një rezultat të diskutueshëm.

Talebanët, që kishin kërcënuar se do të vinin në shenjestër qendrat e votimit përmes sulmeve të pandalshme, kryen vetëm disa sulme të nivelit të ulët, që në mbarë vendin shkaktuan 46 të vrarë.

E ndërsa ushtarët e huaj po përgatiten të tërhiqen në fund të këtij viti, kushdo që do të bëhet presidenti i Afganistanit do t’i duhet të udhëheqë një vend ku talebanët janë aktivë, ku ekonomia është e dobët, korrupsioni i përhapur dhe ku ligji në pjesën më të madhe nuk zbatohet.

Mbi 7 milionë afganë, nga 12 milionë m të drejtë vote, morën pjesë në votime. Nga pjesëmarrësit, 38 për qind e tyre ishin gra dhe 62 për qind burra. Mbi 6.000 qendra votimi u hapën në orën 07.00 me orën lokale, por disa prej tyre nuk funksionuan për arsye sigurie.

Në raundin e parë Abdullah fitoi 45% të votave, ndërsa Gani 31.6%. Për të dy palët pati akuza për vjedhje dhe manipulime. Asnjëri prej tyre nuk mundi të siguronte 50 përqindëshin e nevojshëm për t’u shpallur fitues.

Terreni malor i Afganistanit, bashkë me kushtet e këqija të rrugëve, bënë të vështirë zhvillimin e zgjedhjeve. Mijëra gomerë u përdorën për të transportuar kutitë e votimit në fshatrat më të thella të vendit. Rezultati paraprak pritet më 2 korrik, ndërsa përfundimtari më 22 të të njëjtit muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB