Ukrainë, forcat qeveritare rimarrin Mariupolin

13/06/2014 00:00

Trupat ushtarake të qeverisë të vendosur në Ukrainën lindore kanë rimarrë kontrollin e qytetit-port të Mariupolit, nga rebelët separatistë pro-rusë, pas luftimeve të ashpra.

Ministri i Brendshëm, Arseny Avakov, tha se forcat e sigurisë kishin kthyer me sukses bastionet e separatistëve në qytet “nën kontrollin e tyre”.

5 rebelë pro-rusë janë raportuar të vdekur dhe të paktën 4 ushtarë të qeverisë janë plagosur nga luftimet në qytet. Ndërkohë, rebelët e pjesëve të tjera të rajonit kanë konfirmuar se kanë tashmë 3 tanqe.

Shfaqja e tanqeve, të filmuara në disa fshatra të rajonit të Donjeckut, nxitën një debat mes Kievit dhe Moskës, teksa presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka protestuar te homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Rusia mohoi akuzat e Ukrainës se tanqet kishin hyrë në Ukrainë nga territori i saj. Qindra luftëtarë dhe civilë janë vrarë që prej momentit kur separatistët pro-rusë në Donjeck dhe rajonin fqinj të Luhanskut deklaruan pavarësinë, pas mbajtjes së referendumeve muajin e kaluar, që u quajtën të paligjshme nga qeveria në Kiev.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB