Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka mohuar mundësinë e ndarjes së partisë së tij pas humbjes në zgjedhjet e 8 qershorit.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Mustafa u është përgjigjur edhe zyrtarëve të lartë të LDK-së, të cilët një ditë pas humbjes së partisë i kërkuan atij dorëheqjen nga posti i kryetarit.

“Rezultatet tregojnë se PDK me koalicionin me partitë e tjera doli e para me votë klienteliste, gjë që më së miri argumenton kapjen e shtetit. Unë jam i bindur se LDK është shumë unike dhe shumë e fortë, prandaj as predikimet për ndarje, thënë nga emocionet, nuk do të ndodhin. Do të ndodhë demokracia, e cila na nevojitet para së gjithash”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka treguar edhe për kontaktet që ka pasur me subjektet e tjera politike, ndërsa ka shprehur keqardhje që partia e Behgjet Pacollit e ka në pikëpyetje kalimin e pragut zgjedhor.

“Sa i përket AKR-së dhe zotit Pacolli, ai në takimet e fundit ka qenë shumë i qartë se nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në. Ky qëndrim i tij nuk ka rrjedhur si pasojë e insistimit tim apo presionit, por si bindje dhe vendim i tij se mund t’ia dalë dhe ta kalojë pragun. Kam qenë i bindur se do të fitojmë dhe i kam premtuar se ai do të jetë pjesë e qeverisë në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA