Tanket ruse hyjnë në Ukrainë

12/06/2014 00:00

Ministri i Brendshëm i Ukrainës ka deklaruar se tre tanke kanë kaluar kufirin nga Rusia në zonat e rebelëve, në lindje të vendit, dhe një luftim i ashpër është në zhvillim e sipër.

Tanket hynë në Ukrainë bashkë me disa autoblinda të tjera përmes një pike kufitare të kontrolluar nga rebelët në rajonin e Luhanskut, deklaroi Arseniy Avakov. Forcat ukrainase reaguan dhe një luftim mes tyre dhe rebelëve është në zhvillim, saktësoi ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një reagim të tijin lidhur me këto njoftime deklaroi se, hyrja e tankeve ruse në Ukrainë është vetëm një shpifje e qeverisë së Kievit.

Separatistët pro-rusë në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, që është dhe zemra e industrisë ukrainase, shpallën pavarësinë pasi mbajtën referendume muajin e kaluar, të dy të konsideruar si ilegjitim nga Kievi zyrtar.

Rebelimi në këto zona filloi pas trazirave që rrëzuan nga pushteti presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Viktor Yanukovych, politikat pro-ruse të të cilit shkaktuan demonstratat masive në Kiev gjatë dimrit.

Zoti Avakov saktësoi më tej se kalimi i tankeve dhe autoblindave ishte bërë përmes zonës Djakovesë, një lokalitet në Luhansk, para se të mbërrinin në Donetsk.

Prej andje, shtoi ministri i Brendshëm, tanket u drejtuan për në qytetin Snizhne të enjten në mëngjes, ndërsa dy prej tyre vazhduan për në qytetin Horlivka, ku u sulmuan nga trupat qeveritare.

“Luftimi është në zhvillim. Nuk mund të them se cili do të jetë rezultati i tij, por një pjesë e autokolonës ruse është shkatërruar”, deklaroi ministri Avakov.

Ndërsa një zëdhënës i rebelëve tha për agjencinë ruse “Ria Novosti” se, ata po luftonin përballë 40 tankeve ukrainase në veri të Luhanskut. Sipas tij, tanket ruse u ndalën në fshatin Makarovo.

Ndërkohe, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko bisedoi në telefon me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin. Sipas njoftimit të presidencës ukrainase, dy udhëheqësit biseduan për një zgjidhje paqësore në ‘indje të Ukrainës. Nga ana e tij, Poroshenko e cilësoi hyrjen e tankeve në territorin e tij si të papranueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB