Venezuela akuzon SHBA-në për shantazh, Kina dhe Rusia i dalin në mbrojtje: ‘Sjellje gangsterësh’, çdo shtet ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e tij Presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se qeveria e tij po shqyrton “të gjitha opsionet” për të ndihmuar Irakun që të luftojë militantët islamikë, përfshirë këtu aksionin ushtarak.
Obama ka theksuar se, Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që të sigurojnë që xhihadistët të mos fitojnë terren në Irak.
“Do të ketë disa masa afatshkurtra të menjëhershme që duhet të bëhen në mënyrë ushtarake”, ka thënë Obama për gazetarët në një konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë.
Deklarata e tij vjen pasi qytetet e Mosulit dhe Tikritit kanë rënë në
duart e rebelëve islamikë sunitë, përmes disa ofensivave të dhunshme
ushtarake.
“Unë nuk përjashtoj asgjë sepse ne kemi piketën tonë, që të sigurohemi se këta xhihadistë nuk do të fitojnë më terren në Irak apo Siri”, ka thënë më tej presidenti.
Ndërkohë, pak më vonë pas konferencës së shtypit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave në Irak. “Nuk po përgatisim trupa për në terren, megjithatë jemi shumë të shqetësuar. Iraku është një partner i fortë dhe i rëndësishëm”, ka deklaruar Carney.
Më herët, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi sulmet e militantëve
ekstremistë në 2 qytetet e mëdha të Irakut.
Në një deklaratë KS tha se situata humanitare në Mosul, ku mbi 500 mijë persona janë arratisur, është e rëndë.
“Dënojmë me forcë ngjarjet e fundit në qytetin e Mosulit dhe shprehim shqetësimin për personat që kanë braktisur banesat e tyre”, thuhej në deklaratë. Vetë sekretari i përgjithshëm i OKB i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të solidarizohet me Irakun, “pasi vendi përballet me një sfidë të madhe”.
Rebelët, që janë pjesë e grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, një degëzim i Al Kaedas, dhe militantë të tjerë sunitë kanë konsoliduar pozicionet e tyre në Tikrit, vendlindja e Sadam Huseinit, qytet të cilin e pushtuan të mërkurën pas, marrjes në kontroll të Mosulit qyteti i dytë më i madh në Irak.
Grupi ISIS kontrollon gjithashtu një pjesë të madhe territori në lindje të Sirisë dhe në perëndim e qendër të Irakut. Një zëdhënës i grupit i ka bërë thirrje militantëve të marshojnë drejt Bagdadit dhe qyteteve jugore ku është i përqendruar komuniteti Shiit, të cilin grupi e cilëson si të pabesë e të pafe.
Iraku kërkon avion pa pilot nga SHBA për të luftuar terroristët, por një kërkesë e tillë është refuzuar deri më tani nga administrata Obama. Kryeministri Nuri Al Maliki u zotua të luftojë kundër rebelëve dhe tha se do të ndëshkojë trupat dezertuese.
Top Channel