15 vjet më parë, Kosova shënoi datën më të rëndësishme të saj. Forcat këmbësore të NATO-s hynë në Kosovë dhe nisi largimi i forcave serbe, duke i dhënë fund kështu regjimit kriminal të Slobodan Milosheviçit ndaj popullit të Kosovës.

Që prej atëherë, 12 Qershori rikujtohet si Dita e Paqes dhe çlirimit të Kosovës.

Fillimisht, trupat e NATO-s numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetra shtete anëtare të kësaj aleance dhe vendeve aleate. Të parat, që kanë zbarkuar, ishin forcat ruse më 11 Qershor, ndërkohë më 12 hynë njësitet britanike.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Ndërhyrja e NATO-s i parapriu një lufte të ashpër të Jugosllavisë mbi popullin kosovar.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga Gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia u detyrua të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Si pasojë e luftës në Kosovë, mbi 13,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe mbi 1 milion të zhvendosur. Shkatërrimet materiale, po ashtu kanë qenë masive.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në Janar të vitit 2009, kur është formuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Një dekadë e gjysmë pas, janë rreth 5,600 trupa të NATO-s, që vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.

Gati dhjetë vjet pas zbarkimit të NATO-s, përkatësisht më 17 Shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur Pavarësinë nga Serbia, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit. Pavarësia e Kosovës tashmë është njohur nga mbi 100 vende. Dita e Lirisë së Kosovës, së bashku me Pavarësinë, konsiderohen si ngjarje, që kanë shënuar kthesën në histori.

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të Kombeve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA