Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë po vazhdon pranimi i materialeve zgjedhore të 8 qershorit, ndrsa ende po presin për numrim edhe 35 mijë votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Krahas këtij procesi, në këtë qendër tashmë ka nisur rinumërimi i 14 kutive që kanë rreth 5 mijë fletëvotime brenda tyre, e të cilat gjatë pranimit janë zbuluar se kanë pasur probleme.

Prej tyre, 4 kuti janë nga vendvotimet në Podujevë, 3 nga Prishtina, 2 nga Prizreni, 1 nga Istogu, 1 nga Fushë-Kosova, 1 nga Lipjani, 1 nga Mitrovica e Jugut si dhe 1 nga Graçanica.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj ka thënë për Top Channel se rinumërimi i këtyre kutive do të përfundojë të enjten në mbrëmje, ndërsa rezultatet e rinumërimit do bëhen të ditura vetëm në rezultatin përfundimtar.

“Aktualisht jemi duke e bërë rinumërimin e 14 vendvotimeve të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të parregullsive gjatë procesit të pranimit të materialit të ndieshëm. Problemet janë të natyrave të ndryshme, kanë pasur probleme me shiritat e sigurisë, me të dhënat e rezultateve të cilat kanë qenë të prekura”, ka deklaruar Ahmetaj.

Ahmetaj ka thënë se gjatë pranimit dhe skanimit të formularëve që po futen në sistem mund të ndodhë që edhe kuti tjera të kenë nevojë rinumërimi, por deri tani sipas tij formularë me probleme nuk janë skanuar.

Në QNR ende nuk mund të parashikojnë një datë të saktë të përfundimit të procesit të numërimit të gjitha votave, pasi sipas koordinatorit Ahmetaj kjo do të marrë ende kohë.

“Nuk mund të them ndonjë afat, por janë procese që duhe të presin njëra-tjetrën në mënyrë që të bëhen të gjitha verifikimet, që nuk mund të them se mund të kryhet për një kohë shumë të shkurtër. Kemi një numër shumë të madh të votave me kusht që janë rreth 21 mijë e 800. Po ashtu kemi rreth 13 mijë vota me postë si dhe rreth 1.500 vota të personave me nevoja të veçanta, të cilat duhet të regjistrohen në databazë, duhet të verifikohen, duhet të numërohen, pastaj të grumbullohen me rezultatet. Ajo çka desha t’i siguroj qytetarët është se në QNR mbrohet integriteti i votës”, ka nënvizuar Ahmetaj.

Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarë të partive politike kanë thënë se janë duke e ndjekur nga afër procesin e rinumërimit të votave dhe deri tani sipas tyre gjithçka ka shkuar në rregull. Në rast të ndonjë problemi në rinumërim, subjektet politike do të reagojnë përmes përfaqësuesve të tyre në KQZ.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA