Venezuela akuzon SHBA-në për shantazh, Kina dhe Rusia i dalin në mbrojtje: ‘Sjellje gangsterësh’, çdo shtet ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e tij Ofensiva islamike në rajonet pranë Kirkukut e shtyu qytetin e pasur me naftë në duart e miliceve kurde, duke qenë se dhe këtu, ashtu si në Mosul dy ditë më parë, trupat ushtarake e forcat policore morën arratinë duke ia dorëzuar praktikisht zonën luftetarëve peshmerga.
Nuk ka këmbë ushtari tani në Kirkuk, tha një zëdhënës i tyre për Reuters, dëshmia më e fundit e kthesës së beftë që ka marrë situata në vendin e trazuar prej kohësh, ku gjërat po dalin gjithmonë e më shumë nga kontrolli i qeverisë qendrore të Nouri al Malikit.
Luftëtarët kurdë konsiderohen sidoqoftë një gardh mbrojtës kundër rebelëve muslimanë sunitë që kanë pushtuar njëra pas tjetrës disa pjesë të rajonit këtë javë. Rënia e Mosulit ishte më tronditësja nga të gjitha.
Qyteti i dytë më i madh i vendit me 1.8 milionë banorë, njëkohësisht kryesori në veriun e Irakut është qendër e rëndësishme politike dhe ekonomike dhe një rrugëkalimi për në Siri e Turqi.
Sot ndodhet në duart e Shtetit Islamik në Irak dhe Levant. Ky grup i krijuar vetëm një vit më parë si pjesë e Al Kaedës, por i shkëputur më pas prej saj për të vazhduar i vetëm rrugën e tij, konsiderohet tani njëri prej organizmave më të mëdhenj xhihadiste që luftojnë forcat qeveritare në Siri e po marrin edhe trofe ushtarake në Irak.
Se sa i madh është nuk dihet me saktësi, por mendohet të ketë me mijëra pjesëtarë, përfshirë dhe luftëtarë të huaj nga Britania, Franca, Gjermania e vende të tjera europiane, si dhe nga Amerika, bota arabe e Kaukazi.
Nga sa pohojnë korrespondentët në terren, për nga rrezikshmëria që paraqet në këto momente, ai mund ta kapërcejë edhe vetë Al Kaedën. Organizatën e drejton Abu Bakr al-Baghdadi. Pak dihet për këtë njeri, por besohet të ketë lindur në Samarra në 1971-shin, ndërsa duket se i është bashkuar shumë shpejt rebelimit që shpërtheu në Irak pas pushtimit amerikan të 2003-shit.
Në vitin 2010, ai u shfaq si lider i Al Kaedës në Irak, një degëzim që më vonë do të kthehej në ISIS-in e tanishëm. Al Baghdadi konsiderohet një komandant i zoti dhe takticien, çka e bën organizatën e tij shumë më tërheqëse për të rinjtë sesa Al Kaeda e teologut Ajman al Zawahirit.
Ndryshe nga grupet e tjera rebele në Siri, ISIS po lufton me një objektiv të mirëpërcaktuar: krijimin e një emirati islamik i cili shtrihet nga Siria ne Irak.
Top Channel