Irakenët mobilizohen kundër xhihadistëve

12/06/2014 00:00

Pas dështimit për të votuar në parlament gjendjen e jashtëzakonshme që do t’i jepte pushtet ekstra kryeministri Nuri Al Maliki, qeveria irakiane u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që janë të aftë për luftë për t’u mobilizuar.

Seanca parlamentare e parashikuar për të shqyrtuar kërkesën e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dështoi pas bojkotimit të deputetëve sunitë dhe të atyre kurdë. Këta të thanë se nuk mund të votonin për t’i dhënë pushtet të pakufizuar Nuri Al Malikit.

Menjëherë më pas mbërriti apeli i qeverisë drejtuar të gjithë qytetarëve të aftë për luftë ku i kërkohet të mbrohen ndaj ekstremistëve që ndodhen vetëm 110 kilometra larg Irakut. Mijëra irakianë u grumbulluan në pikat e regjistrimit dhe të shpërndarjes së armatimit. “Do të mbrojmë veten, familjet dhe vendin tonë!” deklaronin ata.

Pas rënies së Mosulit dhe Tikrit në duart e organizatës terroriste ISIS forcat qeveritare kanë organizuar një rezistencë më të fortë në Samarra, 110 kilometra nga kryeqytetit Bagdad.

Ndërkohë, në veri forcat e republikës autonome kurde morën nën kontroll qytetin e Kirkukut. Ky qyteti shihet si kryeqendra historike e kurdëve, por që në ndarjen administrative të Irakut nuk është përfshirë në republikën autonome kurde.

Kurdët thanë se morën nën kontroll qytetin e pasur me naftë për të shmangur rënien e tij në duart e ekstremistëve të ISIS. Sipas tyre, qyteti ishte braktisur nga forcat e ushtrisë federale dhe risku që ekstremistët të merrnin nën kontroll zonën ishte i madh.

Ky hap rrezikon të përfshijë Irakun në një luftë civile 3 palëshe. Nga njëra anë janë forcat qeveritare të kryeministri Al Maliki, që po përballen me ekstremistët dhe nga ana tjetër janë forcat e mirëorganizuara ushtarake të republikës autonome kurde, që përvecse luftojnë ekstremistët e ISIS, duket se po kërkojnë ta shfrytëzojnë krizën për të vënë nën kontroll më tepër zona.

Në konflikt është përfshirë edhe Irani. Teherani njoftoi dërgimin e një njësie speciale në veri të Irakut për të mbrojtur popullsinë minoritare iraniane që rrezikohet nga ekstremistët e ISIS.

Kush është ISIS?

Mendohet të ketë me mijëra pjesëtarë, përfshirë dhe luftëtarë të huaj nga Britania, Franca, Gjermania e vende të tjera europiane, si dhe nga Amerika, bota arabe e Kaukazi.

Nga sa pohojnë korrespondentët në terren, për nga rrezikshmëria që paraqet në këto momente, ai mund ta kapërcejë edhe vetë Al Kaedën. Organizatën e drejton Abu Bakr al-Baghdadi. Pak dihet për këtë njeri, por besohet të ketë lindur në Samarra në 1971-shin, ndërsa duket se i është bashkuar shumë shpejt rebelimit që shpërtheu në Irak pas pushtimit amerikan të 2003-shit.

Në vitin 2010, ai u shfaq si lider i Al Kaedës në Irak, një degëzim që më vonë do të kthehej në ISIS-in e tanishëm. Al Baghdadi konsiderohet një komandant i zoti dhe takticien, çka e bën organizatën e tij shumë më tërheqëse për të rinjtë sesa Al Kaeda e teologut Ajman al Zaëahirit.

Ndryshe nga grupet e tjera rebele në Siri, ISIS po lufton me një objektiv të mirëpërcaktuar: krijimin e një emirati islamik i cili shtrihet nga Siria ne Irak.

FOTO GALERI
1/1
Harte qe tregon perqendrimin e luftes dhe zonat e kontrolluara nga palet

Top Channel

DIGITALB DIGITALB