Ukraina refuzon marrëveshjen ruse të gazit

11/06/2014 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se Rusia i ka ofruar marrëveshje nën kosto Ukrainës për importin e gazit natyror, që ka parasysh edhe ndihmesën e ekonomisë së saj problematike.

Pas një tjetër raundi negociatash, Ukraina refuzoi marrëveshjen për çmimin e gazit, duke thënë se “nuk do të bjerë në kurthin e gazit rus”. Por, Putin deklaroi gjatë së mërkurës se oferta ishte bërë “për të mbështetur ekonominë ukrainase, në një moment të vështirë si ky i tanishmi”.

Dy palët janë ulur në bisedime, pasi Rusia tërhoqi një marrëveshje për subvencionimin e eksporteve të gazit drejt Ukrainës. Të mërkurën, Rusia ofroi nëj ulje çmimi prej 100 dollarësh për çdo 1000 metra kub gazi të eksportuar në Ukrainë.

Por, kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk,  tha se kjo ofertë ishte një “kurth”. Ukraina kërkon një marrëveshje të re gazi, të bazuar “mbi një kontratë, dhe jo mbi bazat nëse Rusia pëlqen qeverinë ukrainase apo jo”, tha ai.

Duke folur nga Moska, mbrëmjen e së mërkurës, Putin tha: “Besojmë se oferta jonë është më shumë se sa me frymë partneriteti, ajo synon të mbështesë ekonominë ukrainase në një moment të vështirë. Por, nëse ofertat tona refuzohen, kjo do të thotë se ne duhet të hyjmë në një fazë të re. Kjo nuk është zgjedhja jonë, ne nuk e duam këtë”.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian në Bruksel, vijnë pasi Rusia kërcënoi se do të mbyllte tubacionet e transportit të gazit drejt Ukrainës, nëse Kievi nuk do të paguante për dërgesat e së kaluarës.

Gjithsesi, afati përfundimtar i Rusisë për pagesat është shtyrë vazhdimisht, pasi Ukraina ka paguar një pjesë të shumës së borxhit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB