Partia Demokratike e Kosovës është e bindur se vetëm ata mund ta formojnë qeverinë e re. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë përmes një postimi në Facebook, se partia e tij bashkë me koalicionin do të mandatohen për të formuar Ekzekutivin e ri.

Përmes kësaj deklarate, ai i ka siguruar qytetarët dhe votuesit, se do të fillojnë me “Misionin e Ri” sipas afateve ligjore dhe kushtetuese. Për këtë çështje, të mërkurën kanë diskutuar strukturat më të larta të PDK-së.

Pas mbledhjes, nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi, është shprehur para gazetarëve i bindur se vetëm ata mund ta bëjnë qeverinë.

“PDK do ta menaxhojë me sukses fitoren e saj dhe në këtë mënyrë do të respektojmë vullnetin e shprehur të qytetarëve të Kosovës. Ju e dini se, me Kushtetutën e Kosovës, mandatari i takon partisë fituese”, tha Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK.

Kuçi ka thënë se pas çertifikimit të rezultateve, PDK, si parti e parë, do t’u bëjë ofertë partive për të formuar qeverinë. Ndërsa, sipas tij, nëse nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme, vendi shkon në zgjedhje të reja, duke mohuar kështu se Presidentja mund ta mandatojë koalicionin opozitar për të formuar qeverinë.

“Deri sa një marrëveshje e tillë, apo cilido veprim, nuk kalon në rrugë institucionale, ne nuk do të reagojmë. Në momentin që prek institucionet, do të reagojmë sipas mënyrës institucionale. Kushdo që bën veprim jokushtetuese, ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Hajredin Kuçi.

Kuçi tha se zgjedhjet e reja, aktualisht janë “plani B” për PDK-në, por, sipas tij, edhe në atë rast, partitë opozitare nuk do të mund të bëjnë listë, që do të mund të dalë para PDK-së.

“Ne nuk e dëshirojmë një gjë të tillë. Nuk dëshirojmë t’i mundojmë qytetarët. Por, ajo çfarë dua të them, është se PDK në këto zgjedhje do ta menaxhojë qeverinë. Nëse qeverisja e tillë nuk mund të bëhet, atëherë zgjidhja e dytë janë zgjedhjet. Por, kjo nuk është për ne zgjidhja e parë”, tha Hajredin Kuçi.

Nënkryetari i PDK-së Kuçi, po ashtu i ka ftuar të gjithë qytetarët dhe simpatizantët e subjekteve, që të ruajnë qetësinë dhe të besojnë në proceset institucionale, që bazohen vetëm në ligje dhe Kushtetutë.

Top Channel