Spanjë, Kongresi miraton “Mbretin” Felipe

11/06/2014 00:00

Parlamenti në Spanjë ka miratuar abdikimin e Mbretit Juan Carlos dhe pasimin e kurorës te djali i tij, Princi Felipe, me një mazhorancë votash të theksuar.

Vazhdimësia e kurorës mbretërore pati mbështetjen si të partisë së qendrës së djathtë, Partisë Popullore, ashtu edhe të asaj të opozitës, Partisë Socialiste, pavarësisht se disa prej anëtarëve të këtyre të fundit ngritën dyshime.

Radikalët e majtë në dhomën e Parlamentit kërkuan referendum.

Madridi dhe disa qytete të tjera janë prekur nga tubime masive anti-Monarki, që kur 76-vjeçari Juan Carlos shpalli më 2 Qershor abdikimin e tij nga froni. Ai e bëri këtë gjë pas afro 40 vjetësh në krye të Mbretërisë, për t’i hapur rrugën “një gjenerate të re”.

Qeveria tha se Parlamenti duhej të miratonte tranzicionin, nën termat e Kushtetutës së vitit 1978. Aktivistët që kanë kërkuar referendum për të vendosur formën e ardhshme të qeverisjes së vendit reaguan furishëm në Tëitter, duke e bërë frazën “Duam të votojmë” tepër popullore.

Miratimi në Kongres u bë me 299 vota pro, 19 kundër dhe 23 abstenime. Tashmë do të duhet edhe aprovimi nga Dhoma e Lartë e Parlamentit, Senati, që pritet të votojë më 17 Qershor. Princi pritet të emërohet “Mbreti Felipe VI”, më 19 Qershor.

Duke nisur debatin, të mërkurën, kryeministri Mariano Rajoy mbrojti “vazhdimësinë e institucioneve”, duke thënë se “forma e shtetit” nuk mund të diskutohej.

“Nuk jemi këtu për të modifikuar faktet, por për të nënvizuar me miratimin tonë se në Spanjë ne besojmë te një Monarki demokratike Parlamentare”, tha ai.

Edhe lideri në largim i socialistëve, Alfredo perez Rubalcaba, e mbështeti projektligjin, duke shprehur besnikërinë e tij ndaj Kushtetutës, që shënoi edhe themelimin e Spanjës demokratike nën Monarki, pas diktaturës së Francos.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB